Mexhiti: Pjesa më e madhe e ASH-së kundër kthimit te BDI-ja, përfshirë Arben Fetain dhe deputetë

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka komentuar zhvillimet e fundit brenda Aleancës për Shqiptarët, duke theksuar se në këtë parti po zhvillohet një debat i fortë dhe se shumica e strukturave nuk pajtohen me vendimin e liderit Arben Taravari për t’u larguar nga Qeveria dhe për t’iu afruar sërish BDI-së dhe Frontit Evropian.

Marketing

“Brenda ASH-së së Taravarit ka një debat të nxehtë ku pjesa dërmuese me një përqindje të lartë nuk pajtohen me liderin e tyre që të rikthehen në kthetrat e BDI-së dhe Frontit Evropian, por do të mbeten në qeveri,” deklaroi Mexhiti në një intervistë për edicionin qendror të lajmeve në Alsat M.

Ai e cilësoi vendimin e Taravarit si “të pashpjegueshëm” dhe “jo transparent”, duke aluduar se ai mund të jetë marrë nën presion apo shantazh dhe nuk përfaqëson vullnetin e anëtarësisë së ASH-së.

Në deklaratën e tij, Mexhiti përmendi edhe zëvendëskryeministrin për qeverisje të mirë, Arben Fetai, për të cilin tha se i duhet Qeverisë dhe shprehu shpresën që ai të qëndrojë në pozicionin e tij. “Ka treguar transparencë dhe kapacitet për të qeverisur,” shtoi ai.