Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka miratuar sot furnizimin e 120 autobusëve ekologjikë, një vendim ky që synon përmirësimin e transportit publik dhe reduktimin e ndotjes së ajrit në vend. Lajmin e bëri të ditur zv/kryeministri i parë Izet Mexhiti.
Sipas vendimit të qeverisë, 80 nga këta autobusë do t’i dorëzohen Ndërmarrjes Publike të Transportit Shkup, duke forcuar kështu flotën e transportit publik në kryeqytet. 40 autobusët e tjerë do të shpërndahen në komuna të ndryshme të vendit, duke u bazuar në nevojat dhe kriteret ekonomike të secilës komunë.
Zv/kryeministri i parë Mexhiti theksoi se ky investim do të ketë një ndikim të rëndësishëm në uljen e ndotjes së ajrit, mbrojtjen e mjedisit dhe përmirësimin e cilësisë së transportit publik. Ai gjithashtu shtoi se kjo nismë do të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm jo vetëm në Shkup, por edhe në komunat e tjera që do të përfitojnë nga kjo furnizim.
Blerja e autobusëve ekologjikë pritet të modernizojë transportin publik dhe të ofrojë një alternativë më të gjelbër për qytetarët, duke ndikuar pozitivisht në cilësinë e jetës dhe mjedisin. Detaje të tjera rreth procesit të furnizimit dhe shpërndarjes së autobusëve do të bëhen të ditura në ditët në vijim.