Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Kosovës
kanë marrëdhënie dhe bashkëpunim dypalësh pozitiv dhe konstruktiv, pa pyetje të hapura dhe me dialog të sinqertë dhe të vazhdueshëm në të gjitha nivelet dhe në të gjitha fushat. Në këtë kontekst, shprehim keqardhjen tonë për keqkuptimet e ndodhura gjatë udhëtimit të djeshëm të Presidentes së Republikës së Kosovës SH.E. Vjosa Osmani në aeroportin ndërkombëtar në Shkup.
Theksojmë se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut tashmë ka kërkuar informacion nga të gjitha institucionet kompetente lidhur me ngjarjen e djeshme. Pasi të jetë bërë një analizë e duhur e të dhënave të grumbulluara në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me Ministrinë e Punëve të Brendshme, do të ndërmerren të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme, me qëllim kryesor shmangien e dukurive dhe situatave të tilla apo të ngjashme në të ardhmen.