Sot u nënshkrua marrëveshja për 6 miliardë euro midis Maqedonisë së Veriut dhe Britanisë. Kjo shumë përfaqëson një mbështetje të rëndësishme dhe hap një kapitull të ri për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit tonë. Marrëveshja shënon një pikë kthese drejt një transformimi të thellë dhe afatgjatë, duke krijuar mundësi të reja për rritje, stabilitet dhe mirëqenie.
Fokusi është i qartë: projekte konkrete, afate të përcaktuara dhe rezultate të matshme. Kjo nismë do të sjellë ndryshime të prekshme në jetën e përditshme të qytetarëve, duke ndërtuar baza të forta për të ardhmen.
Një nga projektet e para që do të nisë menjëherë është ndërtimi i një spitali modern në Kërçovë, i cili do të vendosë standarde të reja në kujdesin shëndetësor për të gjithë rajonin. Paralelisht, do të rikonstruktohet plotësisht spitali i Tetovës, duke e shndërruar atë në një qendër funksionale dhe të denjë për shërbimin ndaj qytetarëve.
Por vizioni shkon përtej shëndetësisë. Investimet do të përqendrohen gjithashtu në infrastrukturën hekurudhore, për të siguruar lidhje më të shpejta dhe efikase brenda dhe jashtë vendit. Do të përforcohet sektori energjetik, ndërsa një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet mbrojtjes së mjedisit jetësor, sepse për ta zhvilluar vendin, duhet të kemi një qasje gjithëpërfshirëse, në të gjithë sektorët.
Të gjitha këto janë mjete të garantuara, të nënshkruara dhe të sigurta. Nuk bëhet fjalë për premtime apo deklarata boshe, por për besim të konkretizuar në projekte që do të sjellin perspektivë të re për çdo qytetar.
Koha e fjalëve ka kaluar. Ka nisur koha e rezultateve. Dhe ky është vetëm hapi i parë. Do të vijë më shumë, dhe do të jetë më mirë!