MF: Hapet tregu financiar për ofrues të rinј të shërbimeve, shërbime të reja, shpenzime më të ulëta dhe mbrojtje të konsumatorëve

Liberalizimi i tregut financiar, me hyrjen e ofruesve të rinj të shërbimeve të pagesave, shërbimet e reja të pagesave, si dhe uljen e kompensimit të transaksioneve, janë pjesë e risive që do të jenë në dispozicion të qytetarëve dhe kompanive nga data 1 janar të vitit 2023. Kjo mundësohet me miratimin e Ligjit për shërbimet e pagesave dhe sistemet e pagesave, i përpiluar nga Ministria e Financave dhe hyn në fuqi në datë 20 prill të vitit 2022.

Marketing

Ligji i ri, që është harmonizimi i legjislacionit vendas me direktivat e BE-së në fushën e shërbimeve të pagesave, siguron sistem të pagesave të sigurtë, të qëndrueshëm dhe efikas në Republikën e Maqedonisë së Veriut, tërësisht kompatibil me sistemet e pagesave të vendeve anëtare të BE-së.

Me liberalizimin e tregut, përveç bankave, të cilat deri më tani kishin monopol në ofrimin e shërbimeve të pagesave, në treg mundësohet që të shfaqen edhe institucionet e pagesave, përkatësisht shoqëritë tregtare që do të ofrojnë shërbime të pagesave në bazë të lejes nga Banka Popullore.

Shërbimet e reja që do të jenë në dispozicion, përfshijnë shërbime për inicimin e pagesave dhe shërbimeve lidhur me ofrimin e informacioneve për llogaritë e pagesave.

Konkretisht, shërbimi për inicimin e pagesave do t’u mundësojë shfrytëzuesve të iniciojnë transaksione për pagesë përmes Internetit ose aplikacioneve celulare duke shfrytëzuar llogaritë e tyre bankare përmes ofruesit të shërbimeve për inicimin e pagesave.

Ky shërbim do të jetë veçanërisht i dobishëm në fushën e tregtisë elektronike, gjegjësisht do të mundësohet që pagesa online në pikat e shitjes në vend të shfrytëzimit të kartelës së pagesës të bëhet edhe nëpërmjet punës bankare në mënyrë elektronike.

Shërbimi për ofrimin e informacioneve për llogaritë e pagesës do të mundësojë monitorim më të lehtë të transaksioneve të kryera dhe gjendjes së llogarive, gjegjësisht menaxhim më të mirë të likuiditetit, si dhe analizë të konsumit lidhur me shfrytëzuesit e shërbimit të pagesës që mund të rezultojë me ofrimin e shërbimeve të reja sipas sjelljes dhe nevojës së tij të mëparshme. Gjithashtu, për shfrytëzuesin kjo do të lehtësojë procesin e aplikimit për marrjen e produkteve kreditore nga bankat dhe institucionet e tjera financiare.

Në këtë kontekst, rol të rëndësishëm pritet të kenë kompanitë fintech që kanë njohuri, përvojë dhe teknologji për të vendosur qasje elektronike të shpejtë, efikase dhe të sigurtë tek ofruesit e shërbimeve, gjegjësisht realizimin e transaksioneve të pagesës.

Hyrja e kompanive fintech në tregun tonë do të stimulohet përmes lehtësimit të kërkesave lidhur me kriteret sa i përket fillimit të kryerjes së shërbimeve të pagesave, me qëllim të tërheqjes së kompanive fintech që duhet të jenë bartësit e shërbimeve inovative dhe të dixhitalizuara të pagesave dhe përforcimit të konkurrencës në treg, që do të thotë shërbime më të mira të pagesave me çmime më të ulëta.

 

Me këtë Ligj, vëmendje e veçantë do të përkushtohet mbrojtjes së konsumatorëve, me ç’rast vendosen informacione të detyrueshme parakontraktuese dhe kontraktuese, që ofruesit e shërbimeve të pagesave janë të detyruar për t’i dhënë konsumatorit, me qëllim që ky i fundit të jetë në gjendje që të bëjë zgjidhjen dhe vendimin e duhur nëse duhet ta pranojë shfrytëzimin e shërbimeve nga ofruesi në fjalë.

 

Gjithashtu, informacionet lidhur me kompensimet që arkëtohen për transaksionet e pagesave, shërbimin e shitësit dhe të ngjashme do të bëhen publike. Qytetarët do të kenë mundësi për të transferuar falas llogarinë e pagesave nga një ofrues i shërbimit te një ofrues tjetër.

 

Për kategoritë e ndjeshme të qytetarëve (shfrytëzuesit e të drejtave ligjore) vendosen shërbime falas, përkatësisht nuk do të arkëtohet kompensim për të paktën pesë transaksione të cilat shlyhen brenda ofruesit të shërbimeve të pagesave në nivel mujor.

Gjithashtu, do të ketë mundësi të hepet llogari e pagesës me funskione themelore për konsumatorët me vendbanim dhe vendqëndrim të ligjshëm në Republikën e Maqedonisë së Veriut, azilkërkuesit dhe konsumatorin të cilit ia kanë refuzuar kërkesën e leje qëndrimit, por largimi i të cilit nga Republika e Maqedonisë së Veriut nuk është i mundshëm për arsye ligjore ose për arsye të tjera praktike (e drejta e moskthimit).

Si risi e rëndësishme në këtë ligj është përkufizimi i vlerës së kompensimit të zëvendësimit i cili përllogaritet dhe paguhet në çdo transaksion të pagesës në bazë të kartelës së pagesës, gjegjësisht kompensimi mesatar aktual prej 1.21% që e arkëtojnë nga tregtarët, do të ulet në 1% nga vlera e transaksionit të pagesës më datë 1 tetor të këtij viti dhe gradualisht do të ulet deri në 0.2% në vitin 2025.

Po ashtu, llogaritë e pagesës tek të cilat 24 muaj nuk ka asnjë fluks hyrës ose dalës dhe llogaritë depozituse ku për 10 vite nuk është realizuar asnjë komunikim me pronarin e llogarisë do të trajtohen si llogari joaktive, me ç’rast ofruesi i llogarive të pagesës nuk lejohet ta zvogëlojë vlerën e mjeteve financiare në këto llogari për shkak të përllogaritjes dhe arkëtimit të çfarëdolloj kompensimi.

Me këtë ligj do të vendoset Regjistri i vetëm i llogarive i cili do të udhëheqet dhe posedohet nga Regjistri Qendror, ku do të udhëhiqen llogaritë e pagesës, llogaritë depozituese dhe llogaritë e tjera në denarë dhe deviza, si dhe kasafortat.