MF: Produktet ushqimore bazë vazhdojnë me normë preferenciale prej 5%

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë u miratua ndryshimi i Vendimit për përcaktimin e mallrave dhe shërbimeve që i nënshtrohen normës preferenciale të tatimit mbi vlerën e shtuar, e cila është miratuar më 28 shtator 2023, me të cilën janë precizuar më tej disa numra tariforë që praktikisht krijuan dilemë në zbatimin e normës preferenciale prej 5%, për shkak të numrit më të madh të produkteve me numrin e njëjtë tarifor.

Marketing

Me anë të këtij ndryshimi, gjiza, brumi i ngrirë, piperi i zi dhe piperi i kuq, pudingu për fëmijë, qumështi i adaptuar për foshnja, suplementet ushqimore për imunitet të dobët, çajrat bimorë, napolitankat dhe gaufret (waffle), kaçkavalli vegjetal, llojet e tjera të caktuara të kaçkavallit, pinxhuri i shtëpisë, panaxhari i konservuar dhe specat djegës (feferonat), janë produkte që do të tatimohen me normë preferenciale të TVSH-së prej 5%.

Me këtë vendim mundësohet edhe përkrahja e ekonomisë vendase, respektivisht kompanive vendase që prodhojnë disa prej këtyre produkteve, si dhe mbrojtja e standardit të qytetarëve.

Ndryshimet që Qeveria i ka miratuar në mbledhjen e sotme do të zbatohen nga data 13.10.2023.

Ministria e Financave dhe Qeveria janë në komunikim të vazhdueshëm me komunitetin e biznesit sa i përket krijimit dhe zbatimit të politikave dhe janë në dispozicion për sugjerime dhe propozime. Gjithashtu, procesi i përcaktimit të këtij vendimi u zhvillua përmes procesit transparent dhe gjithëpërfshirës, në të cilin para 9 muajve, përkatësisht në muajin janar, përmes odave ekonomike, me komunitetin e biznesit ishte parashtruar lista e produketeve që do të tatimohen me normën preferenciale të TVSH-së, me qëllim që të mund t’i dorëzojnë propozimet e tyre.
Vendimi u miratua në mbledhjen e Qeverisë më 28 shtator, me ç’rast u bë i plotfuqishëm më 2 tetor kur filloi edhe zbatimi i tij, por për shkak të paqartësive të konstatuara gjatë zbatimit të një pjese të produkteve u imponua nevoja e ndryshimit të këtij vendimi, që u realizua në kohën më të shkurtër të mundshme.

Republika e Maqedonisë së Veriut vijon t’i ketë normat më të ulëta të TVSH-së (norma të rregullta dhe preferenciale), ndërkaq që të gjitha ushqimet tatimohen me normë preferenciale të TVSH-së, ndërsa pjesa më e madhe e tyre tatimohen me normën më të ulët preferenciale prej 5%. Zbatimi i normës më të ulët preferenciale të TVSH-së në vend i referohet më shumë se 1650 produkteve ushqimore, ndërsa normë preferenciale kanë edhe rreth 950 produkte të tjera ushqimore.

Këto vendime për zbatimin e normës preferenciale të TVSH-së janë si rezultat i ndryshimeve në Ligjin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar dhe kanë për qëllim mbrojtjen e standardit të qytetarëve, mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe tatimimin e produkteve ushqimore me normë të drejtë tatimore. Po ashtu, me ndryshimet dhe plotësimet ligjore në Ligjin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar u kryen edhe harmonizime të tjera me Direktivën e BE-së për TVSH-në.