Numri i të vdekurve si rezultat i ndërhyrjes së armatosur të forcave të sigurisë në Mianmar në protestat kundër puçit ushtarak dhe ndalimit të anëtarëve të zgjedhur të qeverisë është rritur në 745, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas raportit ditor të publikuar nga Shoqata e Ndihmës për të Burgosurit Politikë (AAPP), gjashtë viktima të tjera janë konfirmuar në 24 orët e fundit nga ndërhyrja e forcave të Mianmarit.
Numri i përgjithshëm i viktimave është azhurnuar në 745, ndërsa i të arrestuarve në 3.371.
Ndërkohë, aktualisht ekzistojnë urdhra arresti për 1.118 persona.
Protestat vazhdojnë
Mësohet se një nga viktimat e djeshme ishte një vajzë 14-vjeçare e cila u qëllua në kokë ndërsa ushtria po ndërhynte kundër protestuesve në Mandalay.
Nga ana tjetër, studentët anti-grusht-shteti protestuan kundër ftesës për udhëheqësin e qeverisë ushtarake, gjeneral Min Aung Hlaing, për të marrë pjesë në samitin e liderëve të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) të mbajtur sot në Indonezi.
Dhjetëra mijëra studentë u mblodhën në Yangon dhe kundërshtuan grushtin e shtetit me parullën “Duam demokraci”.
Demonstruesit mbanin parulla që mbështesnin Qeverinë e Unitetit Kombëtar, të cilën deputetët anti-grusht-shteti e krijuan kundër sundimit ushtarak më 16 prill.
Grushti ushtarak në Mianmar
Ushtria e Mianmarit, pas pretendimeve nga grupet e afërta politike pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.
Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.
Qytetarët e Mianmarit më 6 shkurt filluan protestat kundër grushtit të shtetit me kërkesën për kthimin e demokracisë, ndërkohë që forcat e sigurisë kanë përdorur dhunë për t’i shtypur ato.