Mickoski: 2.500 denarë më shumë për pensionistët

“Ndryshimet në Ligjin për sigurim pensional dhe invalidor u miratuan në seancën e djeshme të Qeverisë, kështu që harmonizimi i pensioneve do të jetë linear dhe jo në përqindje si deri më tani. Kështu që fillimisht nga ky shtator do të kemi rritje prej 2500 denarëve, e më pas edhe nga marsi i ardhshëm edhe 2500 denarë”, u përgjigj kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në pyetjen gazetareske.
Kryeministri Mickoski tregoi se premtimi për rritjen e pensioneve do të realizohet më shpejt se sa është premtuar.
“Ne premtuam se që në vitin e parë do të rriten pensionet në mënyrë lineare për 5000 denarë, këtë do ta bëjmë shumë më shpejt, pra në 9 muajt e parë”, tha Mickoski.
Në lidhje me atë se kur do të miratohen ndryshimet në Ligjin për sigurim pensional dhe invalidor, kryeministri tha se rritja e parë duhet të arrijë me pensionin e shtatorit.
“Do të shohim më tutje se si do të jetë gjendja me Buxhetin, kështu që mund të vazhdojmë të kemi surpriza të këndshme për pensionistët, për punëtorët etj., etj. Kështu që pres që Kuvendi ta miratojë këtë ligj sapo të fillojë të funksionojë dhe pensioni i shtatorit të shkojë në llogarinë e pensionistëve, në rritje prej 2500 denarëve”, tha kryeministri Mickoski.
Marketing