Mickoski: Ata janë shërbëtorë të Zaevit, Kongres do të ketë, por do jetë i rregullt

Nuk do të ketë Kongres të jashtëzakonshëm të VMRO-DPMNE-së. Për hapat e ardhshëm të partisë do të vendoset në nëntor pas Kongresit të rregullt që mbahet në çdo katër vjet. Kështu u përgjigj lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, pasi Bordi Iniciues për Ndryshime paralajmëroi Kongresin e 17-të më 28 mars. Sipas Mickoskit, këta njerëz janë shërbëtorë të Zoran Zaevit.

Marketing

“Nëse më pyesni për këtë të ashtuquajturën – Iniciativë të një numri të vogël njerëzish që janë robër dhe shërbëtorë të Zoran Zaev që po tentojnë të manipulojnë me disa nga delegatët që morën pjesë në Kongresin në Kumanovë, por edhe në Vallandovë, me të vetmin qëllim të marrin mëshirë nga zotëria e tyre Zoran Zaev që të mund të shpëtohen nga përndjekjet kriminale dhe politike me të cilat përballen sot….Unë mund t’i kuptoj, por nuk mund t’i justifikoj”, deklaroi Hristijan Mickoski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Menjëherë pas mbledhjes së Komitetit Qendror, nga Këshilli Iniciues sërish me reagim. Prej atje edhe një herë u bënë thirrje delegatëve dhe anëtarëve të VMRO-DPMNE-së t’i mbështesin në zbatimin e ndryshimeve.

“VMRO-DPMNE-ja më nuk mund t’ia lejojë vetes luksin e tillë – të drejtohet nga një njeri i cili e fundos partinë dhe stimulon përçarje dhe grindje të reja. VMRO-DPMNE-ja ka nevojë për unitet dhe vendosmëri në realizimin e qëllimeve të saj strategjike. VMRO-DPMNE ka nevojë të mbahet Kongresi i 17-të ku do të rishqyrtohen politikat që i udhëheq Mickoski këto 3 vite dhe ku do të përcaktohen drejtimet përmes të cilave partia do të kthehet në rrugën e fitimit”, thonë nga Këshilli iniciues për ndryshime në VMRO-DPMNE.

Anëtarë të Këshillit Iniciues janë ish-kryetari i Dojranit, Borçe Stamov, ish-kryetari i Butelit, Petre Llatinovski, i Aerodromit, Ivica Konevski, pastaj Filip Petrovski, si dhe disa anëtarë të tjerë të partisë opozitare. Më me siguri mbështetje do të japë edhe kryetari aktual i Kavadarit, Mitko Jançev, i cili në vitin 2018 ishte përjashtuar nga VMRO-DPMNE-ja.