Në hapësirat e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri Perëndimore u zhvillua takim mes kryetarit të kësaj Ode, Nebi Hoxha dhe liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski. Për dallim nga kryesia e kaluar, kjo është hera e parë që përfaqësues i VMRO-DPMNE-së të merr pjesë në një ngjarje të kësaj Ode.
Në pyetjen e TV21, nëse kjo do të thotë se VMRO-DPMNE do të ndryshojë qasje ndaj bizneseve shqiptare, Mickovski u përgjigj se ai dhe partia e tij nuk i ndajnë bizneset sipas përkatësisë etnike. Ai u shpreh ambicioz se në të ardhmen kur do të jetë kryeministër i vendit do të angazhohet për ti stimuluar biznesmenët të investojnë në Maqedoni pa dallim nga përkatësia e tyre etnike.
“Biznesi nuk duhet të ketë parashenjë etnike, biznesi është biznes dhe i njëjtë për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë. Gjithkund ku do të jem i ftuar pa marrë parasysh përkatësinë etnik të investitorit, apo asaj se ku do të bëhet investimi në cilën pjesë gjeografike, për mua do të jetë nder të marr pjesë si përfaqësues i partisë më të madhe politike, ndërsa në të ardhmen edhe si kryeministër i vendit”, tha Hristijan Mickoski, lider i VMRO-DPMNE-së.