Mickoski: Greqia nuk po e zbaton “Marrëveshjen e Prespës”

Kryeministri i vendit Hristian Mickoski thotë se RMV po e respekton Marrëveshjen e Prespës por një gje tillë, sipas tij, nuk ndodh nga Greqia. Mickoski thotë kjo qeveri nuk do të përulet ndaj askujt por do të ndërtojë marrëdhënie parimore të bazuara në rrugë të dyanshme, përcjellë Klan Macedonia.

Marketing

Në një intervistë për Al Jazeera Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski theskoi se Marrëveshja e Prespës po respektohet. Mickoski thotë se pavarsisht bindjeve personale të gjitha komunikimet po bëhen me shtojcën Maqedonia e Veriut.

“Nuk pajtohem me konstatimin tuaj se nuk e respektoj Marrëveshjen e Prespës. Unë nuk jam i kënaqur me atë marrëveshje, ju e dini se si u kalua ajo marrëveshje në Kuvend, kur deputetët tërhiqnin për veshi njëri-tjetrin, e paraprakisht u mbyllën dhe u burgosën, u shantazhuan për të votuar atë që ndodhi atëherë. Por kështu funksionon, ky është realiteti. Unë edhe vetë kam thënë para katër vitesh se kjo marrëveshje është realitet, pavarësisht se kam pësuar sulme të mëdha politike nga e djathta ekstreme apo e majta, si të doni në Maqedoni. Kështu që respektoj gjithçka që përmban marrëveshja, i gjithë komunikimi zyrtar, formal, institucional është absolutisht me shtojcën”, tha Mickoski.

Për Mickoskin në pyetje ngelet pala tjetër, gjegjësisht Greqia, e cila sipas tij nuk e respekton Marrëveshjen e Prespës.

“Pyetja e vërtetë është përse pala tjetër nuk e respekton Marrëveshjen e Prespës dhe çfarë ka bërë pala tjetër që është pjesë e Marrëveshjes së Prespës, këtu kam parasysh fqinjin tonë jugor, Republikën e Greqisë. Respekti është rrugë me dy kahje, duhet të sillemi ashtu, nuk duhet të kemi standarde të dyfishta, duhet të kemi marrëdhënie të bazuara në parime, unë si njeri jam njeri me parime dhe kështu do të vazhdoj të sillem edhe në jetë, pavarësisht nëse dikujt i pëlqen kjo apo jo”, tha ai.

Për Mickoskin pala maqedonase ka bërë shumë më tepër se ajo të cilën e përmban marrëveshja, duke theksuar se sjellja e Greqisë nuk ka pjekuri sepse përveç asaj deklaratives nuk jep mbështetje thelbësore për integrimin e Maqedonisë brenda institucioneve euroatlantike. Mickoski shprehet I prerë se kjo qeveri nuk do të përulë kurrizin, nuk do të lejojë poshtërim, por sipas tij, do të ndërtojë marrëdhënie parimore të bazuara në rrugë të dyanshme, marrëdhënie të mira fqinjësore, ura dhe zgjidhje të problemeve të brendshme, ashtu siç presin qytetarët nga kjo qeveri u shpreh mes tjerash Mickoski.