Mickoski: Kam mirëkuptim për bojkotin e qytetarëve ndaj marketeve

Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, në seancën e sotme të Kuvendit në përgjigje të pyetjes të deputetëve, theksoi se është e drejtë legjitime e qytetarëve të shprehin revoltën e tyre dhe ai ka mirëkuptim për këtë, por nga LSDM, përveç fyerjeve dhe shpifjeve, nuk treguan se kanë mirëkuptim, sepse, siç tha ai, kjo është partia më elitiste, e cila për 7 vjet nuk tregoi mirëkuptim për standardin e qytetarëve dhe vendosi taksa shtesë.

Marketing

“Është e drejtë legjitime të ketë një nismë qytetare për bojkotin e marketeve, kam mirëkuptim dhe nuk shoh asgjë të gabuar, është legjitime të kemi qytetarë që e manifestojnë revoltën e tyre në mënyrën që ata e konsiderojnë të përshtatshme. Është vlerësim politik i yni ose i juaji nëse do të tregojmë mirëkuptim apo jo. Nga LSDM, përveç shpifjeve dhe sulmeve, nuk dëgjova nëse shprehin mirëkuptim për ata që bëjnë thirrje për një nismë të tillë. Unë në konferencën për shtyp në Qeveri, isha i qartë dhe i saktë se tregojmë mirëkuptim me qytetarët”, tha kryeministri Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes Jovana Trençevska.

Sa i përket politikës për shportat, kryeministri e rikujtoi Trençevskën se edhe ata kishin të tilla, por tani ndryshimi është se janë ulur në tryezë me të gjitha palët e interesuara, e jo nën presion si në kohën e LSDM-së.

“A jep rezultat apo jo, kemi mendime të ndara, disa thonë se po jep rezultate, të tjerë që nuk jep. Ajo që kemi bërë ndryshe nga të mëparshmit është se u ulëm në tryezë si me prodhuesit, ashtu edhe me marketet, kemi biseduar dhe kemi përcaktuar produkte të cilat, me besimin e qeverisë ndaj tyre, i lejuam të definohet si listë në dispozicion të qytetarëve. Kjo është ndryshe nga praktika e mëparshme, kur politika bëhej me forcë dhe nën presion”, theksoi kryeministri Mickoski.

Kryeministri Mickoski theksoi se LSDM vazhdimisht përsërit uljen e TVSH-së për ushqimet si politikën e tyre origjinale, ndërsa është e njëjta parti elitiste e cila për 7 vjet nuk doli të sheh se si jeton populli, e cila vendosi taksën për luks dhe imponoi “zhvatje ligjore” ndaj ekonomisë maqedonase, për të cilën tashmë ka një iniciativë para Gjykatës Kushtetuese.

“Nuk do të doja të isha në këpucët e LSDM-së nëse gjykata merr vendim se kjo ishte e papajtueshme me kushtetutën dhe se ato para duhet të kthehen. Ju, struktura më elitiste politike në Ballkan, keni bërë një politikë elitizmi dhe shkëputjeje nga realiteti, duke jetuar në retë dhe tani po flisni për standardin e qytetarëve. Ju, të cilët për 7 vite nuk dolët nga tapetet e trashë persiane dhe kolltukët prej lëkure për të parë si jetojnë qytetarët. Keni harruar çfarë u premtuat atyre”, theksoi kryeministri Mickoski.

Kryeministri Mickoski iu referua edhe shportës minimale konsumatore, duke theksuar se opinioni maqedonas duhet të dijë se mbi kurrizin e popullit po bëhet politikë e nivelit më të ulët dhe se po manipulohet me llogaritjet e saj, të cilat i bëjnë ish-funksionarë të LSDM-së.

“A e keni parë metodologjinë për përllogaritjen e shportës minimale sindikale? Do t’ju jap përgjigje nëse nuk e keni parë. Unë në jetën time nuk kam ngrënë shalqi dhe qershi në janar, nuk e di për ju në LSDM, ndoshta për ju është praktikë e zakonshme. Kjo është një pjesë e metodologjisë për përllogaritjen e shportës minimale konsumatore, e cila bazohet në çmimet e disa marketeve që në opinion njihen si ekskluzive, pa u llogaritur çmimi mesatar. Dhe këtë llogaritje e bëjnë Nikolla Popovski, ish-nënkryetar i LSDM-së, Dragan Tevdovski, ish-ministër i financave nga LSDM dhe Branimir Jovanoviq, i cili ishte pjesë e Lenkës, E Majta dhe më pas u bë këshilltar i Tevdovskit. Këta tre persona e përllogarisin shportën minimale të konsumit. Shkova në disa markete dhe nxora disa produkte nga shporta konsumatore dhe konstatova se vetëm për ushqim dhe pije, shuma është 3.000 denarë më e vogël se ajo që deklarohet në shportën minimale sindikale, pra 15% më pak. Këtë do ta prezantoj në Këshillin Ekonomiko-Social me fotografi, që të shihen çmimet reale.”, potencoi kryeministri Mickoski.