Kryeministri Hristijan Mickoski, në një intervistë për agjencinë e lajmeve MIA, insiston për reforma rrënjësore në Këshillin Gjyqësor, apo organin kryesor që veç tjerash, zgjedh dhe shkarkon gjyqtarët. Sipas tij, ky trup nuk ka legjitimitet te qytetarët dhe për këtë duhet të largohen nga pozitat.
“Një është e qartë se ky Këshill Gjyqësor kështu siç është nuk ka legjitimitet te qytetarët. Ai ndoshta ka legalitet, por jo legjitimitet pasi kredibiliteti u është shkatërruar, besimi është në numër njëshifror të përqindjes, besimi është në nivel më të ulët historik dhe ajo që është me rëndësi është se nëse nuk ka vetëdije mes tyre që vetë të largohen, atëherë patjetër të ndërmarrim ndonjë hap që të mundet ata të ikin. Por, kjo nuk nënkupton se tani disa persona që e kanë sjellë situatën dhe gjendjen kështu siç është, t’i zëvendësojmë me të tjerë të cilët të do të vazhdojnë të njëjtin avaz”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Këshilli Gjyqësor është në fokus të reformave të paralajmëruara të Qeverisë së Mickoskit, e cila dështoi ta realizojë planin për shpërndarjen e tërësishme të saj. Ekspertët dhe faktori ndërkombëtar ngrenë alarmin se ky hap do të përbënte ndërhyrje direkte në pushtetin gjyqësor.
Por, Qeveria insiston se megjithatë duhet bërë diçka, pasi situata aktuale është katastrofike. Për këtë, në fund të nëntorit paralajmëroi një plan kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve që e kanë kapur sistemin gjyqësor. Rastësisht ose jo, derisa priteshin rezultatet e planit, dha dorëheqje Vesna Dameva, kryetarja e Këshillit Gjyqësor.
Dameva, u ankua për trysni politike nga kryeministri Hristijan Micksoki dhe deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski. Sipas Damevës, qëllimi i pushtetit me reformat në gjyqësor është që anëtarët aktual të Këshillit t’i zëvendësojnë me njerëz të afërt të tyre.
Derisa vazhdojnë kritikat e ashpra të Mickoskit dhe paralajmërimet për shpërndarje apo reforma rrënjësore, Këshilli Gjyqësor ka caktuar seancë për më 3 janar, në të cilën pika e parë e rendit të ditës është zgjedhja e kryetarit të Këshillit Gjyqësor. /Alsat.mk