Mickoski: Kemi marrëveshje “xhentëllmenësh” Izet Mexhiti zv/ kryeministër i parë i Qeverisë

Edhe në Qeverinë e re të udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe kryeministri Hristijan Mickoski do të ketë zëvendëskryeministër të parë dhe ai do të jetë Izet Mexhiti nga Koalicioni VLEN. Mickoski sot, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nëse qeveria do të ketë zëvendëskryeministër të parë, tha se kjo është e kundërligjshme dhe se ata si qeveri e re nuk do të punojnë kundër ligjit, por më pas, derisa janë në koalicion, kanë një marrëveshje “xhentëlmenësh” që do të jetë Izet Mexhiti, transmeton Portalb.mk.

Marketing

“Sipas ligjit që është në fuqi, kryeministri ka zëvendës, ndërsa marrëveshja e “xhentëlmenëve” brenda koalicionit është që të ketë zëvendëskryeministrin e parë dhe ai do të jetë Izet Mexhiti. Por kjo është jashtë ligjit, ligji thotë se kryeministri ka vetëm zëvendës. Ajo që është bërë deri tani në mënyrë të egër dhe të paligjshme nuk do të jetë praktikë në funksionimin e kësaj qeverie. Por po, marrëveshje “xhentëlmenësh”në koalicionin tonë dhe funksionimi ynë është i tillë”, tha Mickoski.

Në Qeverinë e re, Ministër i Mjedisit është Izet Mexhiti. Në propozimin e përbërjes së Qeverisë që e ka dorëzuar në Kuvend Mickoski si mandatar, përmendet vetëm kryeministri dhe ministrat, nuk përmendet se kush është zëvendëskryeministër apo zëvendëskryeministër i parë.

Qeveria e re ka 24 anëtarë, prej të cilëve 15 janë nga koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, gjashtë nga koalicioni VLEN dhe dy nga ZNAM. Përveç kryeministrit janë gjithsej 23 ministra, 20 prej të cilëve me portofol. Qeveria ka 5 zëvendëskryeministra: përveç Izet Mexhitit, zëvendëskryetari aktual i VMRO-DPMNE-së Aleksandar Nikoloski është zëvendëskryeministër dhe ministër i Transportit dhe Lidhjeve. Ministër i Qeverisjes së Mirë dhe zëvendëskryeministër nga Aleanca për Shqiptarët është Arben Fetai. Ljupço Dimovski nga Partia Socialiste është zëvendëskryeministër dhe ministër i sistemit politik. Ivan Stoilkoviç, kryetar i Partisë Demokratike të Serbëve në Maqedoni, është zëvendëskryeministër për marrëdhënie ndërmjet komuniteteve.

Zëvendëskryeministër i parë në qeverisjen e kaluar ishte Artan Grubi nga BDI.

Mickoski më 24 qershor e mori funksionin e kryeministrit nga paraardhësi i tij Talat Xhaferi.

Me 77 vota “për” dhe 22 vota “kundër”, Kuvendi më 23 qershor zgjodhi mbrëmë Qeverinë e re, kryetar i së cilës është Hristijan Mickoski. Koalicioni qeveritar përbëhet nga VMRO-DPMNE, koalicioni “VLEN” dhe ZNAM.

Hristijan Mickoski e mori mandatin për të formuar qeverinë e re pasi partia e tij fitoi zgjedhjet parlamentare në maj të këtij viti dhe fitoi 58 ulëse në Kuvend.