Hristijan Mickoski e shfrytëzoi ditën e kremtimit të dy Ilindenëve, duke u distancuar publikisht nga ish kryesia e VMRO-DPMNE-së. Duke folur në vendin Tashmarunishte, ai në mënyrë publike kërkoi falje për një pjesë të figurave të larta të ish kryesisë së partisë dhe i sulmoi të gjithë ata që prej tij kërkojnë që të largohet nga pozita lider i partisë për shkak të rezultateve zgjedhore.
“Ata që janë në kurrizin e VMRO-së, në mënyrë të ashpër, si dushmanë i drejtohen VMRO-së. I vetëdijshëm për veprimet e tyre prej së kaluarës dhe i vetëdijshëm se pikërisht këta persona të jeniçerizuar që kërkojnë pushtet ishin në kurrizin e partisë, dua të them qartë se unë si kryetar i VMRO-DPMNE-së i kërkoj falje popullit tim për të gjitha gabimet dhe padrejtësitë që këta njerëz ia ka bërë. Ata në VMRO shikojnë interes personal, ndërsa unë në VMRO-DPMNE shikoj kauzë”, deklaroi Hristijan Mickoski – lider i VMRO-DPMNE-së.
Deklaratës së Mickoskit iu përgjigj ish kryetari i Aerodromit Ivica Konevski i cili tha se Mickoski sillet në mënyrë të turpshme pikërisht në ditën e festimit të Ilindenit.
“Kur të gjithë duhet të bashkohemi, ti tregon shpifje dhe ofendime. Të gjithë ne që kërkojmë dorëheqje prej teje duke ia dëshiruar më të mirën partisë, ti nuk mundesh të ballafaqohesh me kritikat e sinqerta. Me këtë e preke fundin duke treguar edhe një herë se nuk je njeri i denjë për funksionin që e kryen. Duhet një njeri i cili bashkon. Është kohë që të largohesh nga VMRO-DPMNE-ja”, tha Ivica Konevski – VMRO-DPMNE.
Pas mbarimit të procesit zgjedhor ku VMRO-DPMNE me dy mandate më pak i humbi zgjedhjet, një pjesë e madhe e partisë kërkojnë dorëheqje prej Mickoskit. Përveç Konevskit, përmes Facebook-ut, përgjegjësi kërkon edhe ish njeriu i parë i DKS-së, Sasho Mijallkov i cili para pak kohe i shkroi Mickoskit se gabimet e tij i paguan VMRO-DPMNE-ja. Mitko Jançev paralajmëroi se ai do ta marrë kryesinë e partisë, ndërsa kritika të ashpra vijnë edhe nga ish ministri i shëndetësisë Nikolla Todorov.