Mickoski: Mendoj për ndryshimin e stemës shtetërore, nuk mendoj e as që më shkon në mendje të ndryshohet himni

Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, në intervistë për ditarin qendror të televizionit ALSAT M, tha se mendon për ndryshimin e stemës shtetërore por absolutisht nuk mendon për ndryshimin e himnit maqedonas dhe as që i shkon në mendje të hyjë në një diskutim të tillë.

Marketing

“Ai është një simbol partiak edhe i partive të tjera politike, jo vetëm i VMRO-DPMNE-së. Deklarata ime është rezultat i disa brifingjeve që dolën në opinion në disa media dhe supozoj se gazetari që më bëri pyetjen u frymëzua nga ato brifingje. Dhe unë dhashë një përgjigje të kujdesshme, në të cilën thashë se Qeveria, në të cilën ishin VMRO-DPMNE dhe BDI, e udhëhequr nga Nikolla Gruevski, kishte një marrëveshje për të ndryshuar stemën e shtetit. Dhe kjo ishte përgjigja ime.”

Në pyetjen nëse ka një iniciativë për një ndryshim të tillë, kryeministri Mickoski tha “Nëse ka, opinioni do ta dijë, do të hyjë në parlament. Por a po mendoj për këtë? Po,” tha ai dhe shtoi:

“E vlerësoj se simboli heraldik, luani tokësor, është simbol i të gjitha atyre gjeneratave që kanë jetuar në këto hapësira, dhe kjo nuk është ndonjë sekret.”

Sa i përket himnit maqedonas, kryeministri Mickoski theksoi se himni është një vlerë themelore e një shteti, duke nënvizuar se nuk sheh asnjë arsye pse ai duhet të ndryshohet.

“Himni është vlerë themelore e një shteti, një nga tre atributet thelbësore që e përcaktojnë shtetësinë. Himni përfaqëson gjenezën historike, ai në fakt rrëfen historinë e krijimit të një shteti dhe kombi. Dhe unë nuk shoh asnjë arsye pse ai duhet të ndryshohet apo në cilën pjesë ai duhet të ndryshohet,” ishte decid Mickoski.

Mickoski theksoi se as që i shkon në mendje të diskutojë ose të bisedojë për çështjen e ndryshimit të himnit maqedonas.

“Absolutisht jo, larg qoftë, as nuk është temë diskutimi, as që më shkon në mendje të hyj në ndonjë debat për ndryshimin e tekstit të himnit që pasqyron gjenezën historike të krijimit të këtij shteti. Kush jam unë apo kush jemi ne që ta bëjmë këtë” tha Mickoski.