Në ngjarjen e sotme në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, e dedikuar për qasjen e Ballkanit në BE, kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se rruga e Maqedonisë drejt BE-së ka filluar shumë kohë përpara se të niste procesi i integrimit evropian të Shqipërisë, madje edhe para Kroacisë, por për ne sistemi i meritave është një përrallë.
“Për ne, përralla është bërë objektiv i lëvizshëm. Ne jemi viktima të bilateralizimit, ose për të qenë më i saktë, lëvizja jonë drejt BE-së është shumë komplekse. Në vend që ta sillnim Evropën në Ballkan, ne e kemi sjellë Ballkanin në Evropë. Fatkeqësisht, ka vende anëtare të BE-së që vijnë nga Ballkani, të cilat kanë sjellë me vete konteste bilaterale në Bruksel, në vend që të sillnin vlerat e Brukselit në Ballkan”, tha kryeministri Mickoski në Konferencën e Sigurisë në Mynih.
“Ndryshimi i emrit nuk ishte shembulli i vetëm i ndërhyrjes në punët e brendshme të një shteti sovran. Për t’ju kujtuar, aty ishte edhe ndryshimi i flamurit. Qëllimi ynë ka qenë dhe mbetet të bëhemi pjesë e BE-së, pa asnjë dyshim. Dëgjoj disa komente këtu se gjatë ditës së parë kishte një fjalim nga zëvendëspresidenti amerikan Vens dhe se ky fjalim nënkuptoka një ndërhyrje të madhe në punët e brendshme. Ndryshimi i emrit, i flamurit, i valutës, çfarë janë? A nuk janë ndërhyrje në punët e brendshme? Sa kohë duhet të vuajmë nga standardet e dyfishta? Këtu nuk po flasim për një proces të bazuar në sistemin e meritave, por për mosmarrëveshje bilaterale që nuk duhet të kenë asnjë lidhje me vlerat evropiane”, shtoi Mickoski.
“Si shtet, ne kemi një politikë të jashtme dhe mbrojtëse plotësisht të harmonizuar me BE-në. Jemi ndër pesë vendet më të mëdha donatore të Ukrainës për kokë banori dhe kemi përmbushur gjithashtu kërkesën për 2% të shpenzimeve vjetore për mbrojtjen. Jemi plotësisht të harmonizuar me kërkesat për politikën e jashtme dhe atë të mbrojtjes. Më duhet të theksoj këtë çështje, kur Rusia sulmon dhe mohon identitetin ukrainas, për të cilën foli edhe presidenti Zelenski dje, të gjithë ne jemi të zëshëm, kritikojmë, luftojmë për të drejtat e popullit ukrainas dhe kundër këtij agresioni të paparë. Por kur parlamenti i një vendi anëtar të BE-së sulmon dhe mohon identitetin maqedonas dhe gjuhën time amtare maqedonase, atëherë të gjithë heshtin”, përfundoi Mickoski dhe shtoi se Evropa nuk do të jetë e bashkuar pa të gjitha vendet evropiane. Ky proces do të zgjasë derisa të gjitha vendet aspirante të bëhen pjesë e tryezës së përbashkët me vendet e tjera anëtare të BE-së.