Mickoski: Nuk mbështesim ndryshimet Kushtetuese nën diktatin bullgar

Edhe pse Komisioni për çështje kushtetuese pranoi propozimin për ndryshimet kushtetuese, Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, edhe më tej këmbëngul se partia e tij nuk do t’i mbështesë këto ndryshime.
I bën thirrje pushtetit që nëse pretendon se i ka votat e 80 deputetëve për ndryshime kushtetuese, menjëherë të caktojnë seancën kuvendore që t’i votojnë ndryshimet dhe mos të presin 18 gushtin.
“Ua lë evropianëve të vazhdojnë agjendën e tyre evropiane, ndërsa ne do të mbahemi me Agjendën tonë maqedonase dhe do t’i mbrojmë interesat tona maqedonase. Besoni se 44 deputetë të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit janë të qartë dhe preciz në qëndrimin e tyre, ajo është se ndryshime kushtetuese nën diktatin bullgar nuk do të ketë. Gjatë gjithë vitit theksojnë se kanë 80 vota, ja unë u bëj thirrje menjëherë nesër të caktojnë seancë kuvendore dhe të shohim nëse kanë 80 apo jo. Nëse nuk caktojnë, atëherë është e qartë se nuk kanë, nëse nuk kanë, unë nuk shoh politikë tjetër që kjo Qeveri do ta arsyetonte më ekzistimin e saj.”, – deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
I pyetur nëse ekziston mundësia e “manipulimit” të seancës plenare, jo në aspektin e deputetëve, por në aspektin teknik, kryetari i VMRO-DPMNE-së u përgjigj se edhe për këtë kanë një strategji. Mickoski edhe më herët ka deklaruar se do të marrin pjesë në seancat kuvendore, por që nuk do të votojnë ndryshimet.
Ky pushtet, sipas Mickoskit, duhet që sa më parë ta shpërndajë Kuvendin dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare, thotë Mickoski.