







Lideri i VMRO-DPMNE- Hristijan Mickoski pret që për një javë vendi t’i fillojë negociatat me Bashkimin Evropian, pasi këtë siç thekson e meritojnë qytetarët. Sipas kreut të opozitës maqedonase kërkesat e Bullgarisë të cilat po e mbajnë të bllokuar vendin, nuk kanë kurrfarë lidhje me vlerat evropiane.
“Ne i ndajmë ato vlera me BE-në dhe me të vërtetë kjo është koha e duhur që Bashkimi Evropian me vepra t’i dëshmojë vlerat e saj dhe ti lë ato kërkesa hegjemoniste të fqinjit tonë lindor të cilat nuk kanë asnjë lidhje me vlerat evropiane, por të cilat janë kërkesa që ndoshta janë përkatëse për 2 a 3 shekuj në të kaluarën, e jo për dy a tre shekuj në të ardhmen”- deklaroi Hristijan Mickovski, VMRO-DPMNE.
Megjithatë, historianët bullgarë vlerësojnë se Maqedonia e Veriut ende nuk është gati për të filluar negociatat. Bashkëkryetari i Komisionit të Përbashkët të Ekspertëve për Çështjet Historike dhe Arsimore, Angell Dimitrov, për televizionin bullgar BNT ka deklaruar se Maqedonia e Veriut nuk është e gatshme të punojë sipas parimeve të cilat janë karakteristike për shkencën e historisë.
Nuk ka vend tjetër që dëshiron më shumë se Bullgaria që Republika e Maqedonisë së Veriut të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Por gjithmonë ka një “por” të madhe dhe kjo përcaktohet nga gatishmëria e vendit kandidat. Dua të them se Maqedonia e Veriut është e përgatitur të fillojë negociatat për këtë çështje, por nuk shoh bazë për një gjë të tillë. Karakteristikë e shkencës historike janë udhëzimet dhe respektimi i fakteve dhe burimeve. Historia ndikon kudo, historia jep argumente, i ndihmon politikanët të kuptojnë rrënjët e problemeve bashkëkohore, por nuk janë ata që përcaktojnë marrëdhëniet. E gjithë përgjegjësia është e politikanëve”- pohoi Angell Dimitrov, historian bullgar.
Dimitrov thotë se mbledhja e radhës e Komisionit të përbashkët të të dy vendeve do të mbahet të enjten. Ndërsa do të bisedohet për çështje të shekullit të 10 – 11, pra për fundin e mbretërisë bullgare, kohën e mbretit Samoil dhe pasardhësit e tij. Historiani bullgar thotë se nuk kanë pasur kohë të bisedojnë për përkujtimin e përbashkët të Goce Dellçevit.