“Me këtë sjellje të papërgjegjshme BDI-ja kërcënon imazhin ndëretnik në vend dhe paraqet kërcënim për paqen dhe stabilitetin e Maqedonisë si shtet. Edhe ne do të marrim të gjitha masat e nevojshme si Qeveri për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Maqedonisë si shtet. Por në thelb, këto mesazhe janë një përpjekje e ngurtë për të mbrojtur pasurinë e fituar gjatë 20 viteve të fundit në pushtet. Dhe ky është fakt, sepse demokracia nënkupton që ai që ka shumicën në parlament të ketë edhe qeverinë”, kështu i komentoi kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, nismat e BDI-së për parimin e “fituesit me fituesin” për të hyrë në sistemin e drejtësisë dhe për riorganizim territorial sipas modelit belg.
Mickoski shtoi se thelbi i lëvizjeve të tilla është mbrojtja e kapitalit të fituar në 20 vitet e fundit në pushtet, por nuk përjashtohet mundësia që disa grupe të manipulohen pa vetëdije dhe të sfidojnë integritetin territorial dhe sovranitetin.
“Epo, shikoni, thelbi është të mbrojnë kapitalin e fituar në këto 22 vite në skenën politike dhe 20 vite në pushtet. Por nuk e përjashtoj mundësinë që grupe dhe struktura të caktuara të manipulohen, pa vetëdije. Dhe tani ato grupe dhe struktura mund të sfidojnë integritetin territorial dhe sovranitetin, të krijojnë krizë. Ne si Qeveri kemi për detyrë ta mbrojmë atë dhe të mbrohemi”, nënvizoi Mickoski.
I pyetur se a priten protesta për këto çështje, Mickoski u përgjigj se ka informacione të tilla, por nëse janë paqësore dhe demokratike janë legjitime.
“Ende i kam ato informacione. E kam fjalën për protestat. Përderisa ato janë demokratike dhe paqësore, ato janë legjitime. Nëse kalojnë në të dhunshëm, atëherë do të them sërish, ne si qeveri kemi të drejtë të mbrojmë integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit”, theksoi Mickoski.
I pyetur se çfarë mendon për parimin “fituesi me fituesin”, Mickoski theksoi se demokracia nuk shkon bashkë me këtë parim, sepse partnerët e koalicionit nga qeveria e kaluar u delegjitimuan në zgjedhe dhe në emër të demokracisë parlamentare, të mposhturit duhet të shkojnë në opozitë.
“Mënyra se si funksionon demokracia nuk shkon me “fituesi me fituesin”, sepse në politikë nuk mundet pak me njërin, pak me tjetrin. Kemi platforma diametralisht të ndryshme. Nuk mund të jesh 7 vjet në qeveri me LSDM-në dhe të thuash – kjo më nuk vlen dhe tani do të shkoj me VMRO-DPMNE-në. Kjo kështu nuk mundet! Ju keni zgjedhur partnerin tuaj të koalicionit dhe veproni në bazë të programit, pavarësisht se si ka qenë ai. Ka qenë program qeveritar, ajo qeveri është mposhtur, delegjitimuar dhe këtu përfundon i gjithë procesi. BDI me koalicionin dhe LSDM-në së bashku fituan më pak se 300 mijë vota. VMRO-DPMNE dhe koalicioni fituan afro 450 mijë vota, dhe së bashku me VLEN-in dhe ZNAM-in mbi 600 mijë, tha ai dhe shtoi:
“Vullneti i popullit është i qartë. Në një realitet kaq të ri politik, në emër të demokracisë parlamentare, i mposhturi duhet të dalë në opozitë dhe fituesi të krijojë strukturën e qeverisë së ardhshme”, theksoi Mickoski.