Emigrantët e parregullt të cilët u dëbuan nga SHBA-ja janë mbledhur në zona të rrezikshme përgjatë kufirit amerikan të Meksikës ku veprojnë kartelet e drogës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë të bërë nga Organizata e Mjekëve Pa Kufij, thuhet se një grup prej 400 emigrantësh që u dëbuan sipas rregullores ligjore “Neni 42”, kryesisht lidhur me pandeminë e koronavirusit të ri (COVID-19), janë mbledhur në qytetin kufitar Reynosa, në rajonin ku janë aktive bandat e trafikut të drogës.
Duke theksuar se disa njerëz në grup u zhdukën dhe të tjerët vazhduan jetën e tyre në kushte të pafavorshme, zyrtarët e organizatës shprehën shqetësimin e tyre se rajoni u kthye në një kamp afatgjatë të refugjatëve.
Gjithashtu thuhet se shumica e migrantëve të parregullt u strehuan në një kasolle të vogël në zonë, ku nuk mund të kishin qasje në ujë dhe shërbime shëndetësore dhe se qeveria meksikane nuk ishte në gjendje t’u siguronte atyre strehim të përshtatshëm.
Rregullorja “Neni 42”, e cila bën pjesë në ligjin e shëndetit publik të prezantuar nga ish-Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në vitin 2020, bëri që migrantët e parregullt të cilët kërkojnë mbrojtje humanitare të refuzohen dhe dëbohen në Meksikë. Administrata Joe Biden gjithashtu vendosi të vazhdojë praktikën, me premtimin për të hartuar një “sistem humanitar azili”.
Sipas informacionit të publikuar nga Patrulla Kufitare e SHBA-së, shumica e migrantëve të parregullt dëbohen në më pak se dy orë për të parandaluar përhapjen e COVID-19.
Tamaulipas, ku gjendet Reynosa dhe ku dominojnë bandat e armatosura rëndë të drogës, është ndër pesë provincat në Meksikë që qytetarëve të SHBA-së nuk u rekomandohet ta vizitojnë.