Partia Komuniste në Kubë ka njoftuar se Miguel Díaz-Canel do ta zëvendësojë Raul Castron në krye të saj.
Díaz-Canel, më 2018, është bërë pasardhës i Castros edhe për pozitën e presidentit të shtetit.
Ky tranzicion nënkupton se Kuba do të drejtohet nga dikush tjetër dhe jo Fidel apo Raul Castro, për herë të parë prej Revolucionit të Kubës më 1959.
Díaz-Canel konsiderohet besnik ndaj familjes Castro dhe modelit ekonomik të saj.
Duke folur të premten, kur Díaz-Canel ende nuk ishte emëruar zyrtarisht në pozitën e Sekretarit të Parë, Raúl Castro ka thënë se do t’ia dorëzojë udhëheqësinë gjeneratës më të re “plot me pasion dhe shpirt anti-imperialist”.
Në moshën 60-vjeçare, Diaz-Canel është pothuajse 30 vjet më i ri sesa paraardhësi i tij.
Fidel Castro ka udhëhequr Kubën nga viti 1959. Ai është sëmurë më 2006 dhe dy vjet më vonë ia ka dorëzuar formalisht pushtetin vëllait të tij, Raulit.
Fidel Castro ka vdekur më 2016./REL