Mijallkov: Nuk kam urdhëruar përgjimin! Jankullovska s’e ka ditur se shkatërrohen pajisjet për përgjim

Ish-shefi i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, Sasho Mijallkov mohon që të ketë dhënë urdhër për përgjim dhe mohon se ka urdhëruar shkatërrimin e dy sistemeve të ndjekjes së komunikimit. Mijallkov tha se në gjitha seancat e mbajtura tani më 3 vite për rastin Target-Fortesa, asnjëherë as me dëshmi materiale e as verbale, prokuroria nuk ka vërtetuar një gjë të tillë.

Marketing

“Nuk është e vërtetë, unë nuk kam pasur mundësi dhe privilegj që të jap urdhër të tillë. Asnjëherë askujt, as në formë të shkruar e as gojarisht nuk kam dhënë urdhër në drejtim të përgjimeve ilegale të komunikimeve. Gjatë gjithë procedurës gjithashtu pamë se nuk ka asnjë dëshmi për një gjë të tillë. Në këtë gjykim nuk morëm vesh as një datë, një personalitet konkret ose një numër telefoni që është përgjuar me urdhrin tim”, deklaroi Sasho Mijallkov – ish shef i DSK-së

Gjatë dëshmisë së tij, Mijallkov, përmendi edhe tezën se në vend ka pasur edhe sisteme tjera të përgjimit, duke shpjeguar se në vitin 2014, një kompani izraelite në zyrën e tij në MPB kishte prezantuar mjete për përgjim të cilën kur e kishin kyçur ishte konstatuar se në Maqedoni përgjohet edhe jashtë DSK-së.

Para Mijalkovit dëshmoi ish-ministrja e Brendshme, Gordana Jankulloska. Përgjegjësinë për shkatërrimin e pajisjeve për përgjim e hedh tek anëtarët e Komisionit në DSK, komision që ajo vetë e ka nënshkruar që të formohet, por pa e ditur qëllimin e veprimeve të anëtarëve të komisionit, tha Jankullovska.

“Si punë krejtësisht rutinë, vendimi është dërguar te unë për nënshkrim pa asnjë vërejtje, indikacione, e kompletuar siç duhet se është në përputhje të plotë me atë që kërkon DSK-ja dhe është nënshkruar”, tha Gordana Jankullovska – ish ministre e Punëve të Brendshme.

Jankullovska pohoi se ajo nuk ka qenë e njoftuar se në vend po përgjohet në mënyrë ilegale. Atë e ka kuptuar nga PPS-ja kur filloi hetimin e rastit. Sipas aktakuzës, përmes tre sistemeve për përgjimin e komunikimeve në DSK, në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2015, 4,286 numra telefoni janë monitoruar në mënyrë të kundërligjshme për të cilat nuk janë lëshuar fare urdhëresa gjyqësore, ndërsa të akuzuar për përgjimin e paligjshëm janë Sasho Mijallkov, Gordana Jankulloska (e cila u soll në gjykatë nga burgi i Idrizovës), i arratisuri Goran Grujevski dhe disa persona të tjerë nga DSK-ja.

Marketing