Mijëra euro/ pasuria e 6 kandidatëve për kryeministër të Kosovës

Shtëpi, banesa, vetura, paga por edhe borxhe – kjo është pasuria e gjashtë kandidatëve që garojnë për kryeministër të Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit.

Marketing

Qytetarët e Kosovës më 6 tetor të këtij viti do t’i kenë para vetes gjashtë emra që po pretendojnë ta marrin në dorë “timonin e shtetit”; Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Vjosa Osmani, Albin Kurti, Fatmir Limaj e Nenad Rashiq.

Këta gjashtë persona mbi vete kanë edhe pasuri e para. Në vazhdim ju sjellim pasurinë e tyre që e kanë deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Pasuria e Ramush Haradinajt:

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në koalicion me PSD-në e ka nominuar Ramush Haradinaj për kryeministër të Kosovës. Ramush Haradinaj në bazë të deklarimit që e ka bërë del të jetë goxha i pasur.

Ai mbi vete ka dy shtëpi banimi, banesë, tokë, veturë e qindra mijëra euro para të gatshme.

Haradinaj në regjistrin e pasurisë ka deklaruar se posedon një shtëpi banimi në vlerë prej 300 mijë eurosh, të cilën e ka lëshuar me qira, një shtëpi tjetër banimi e cila kushton rreth 200 mijë euro dhe një banesë në vlerë të 70 mijë eurove.

Po ashtu, Haradinaj ka deklaruar se ka në pronësi edhe një truall që kushton mbi 27 mijë euro. Si pasuri të përbashkët, ai e ka deklaruar Kullën, që sipas tij kushton 270 mijë euro, dhe një tokë kodrinore në vlerë 75 mijë euro.

Si pasuri të paluajtshme, Haradinaj e ka deklaruar veturën e bashkëshortes, e cila ka një kosto prej 8 mijë eurosh.

Në bazë të regjistrimit për deklarimin e pasurisë, Haradinaj po del të ketë edhe borxhe të mëdha. Ai e ka një kredi në vlerë prej 133 mijë euro, të cilën e ka marrë për blerjen e shtëpisë e që pritet ta lajë në vitin 2031.

Ai ka edhe obligim tatimor në vlerë mbi 14 mijë euro, si dhe 20 mijë euro të tjera që i ka marrë kredi për banesë. Ndërkohë, që nuk i mungojnë as paratë e gatshme. Haradinaj ka deklaruar se i ka rreth 70 mijë euro para të gatshme në banka.

Të ardhurat vjetore të tij e kapin shifrën e 100 mijë eurove. Haradinaj merr mbi 73 mijë euro nga qiraja, 32 mijë euro të tjera nga paga mujore si kryeministër, dhe 2 mijë e 700 euro pension invalidor.

Edhe bashkëshortja e kryeministrit po del se fiton goxha shumë. Anita Haradinaj merr rreth 8 mijë euro nga RTK-ja, 12 mijë euro nga kompania Elsig dhe 12 mijë euro të tjera nga Agjencia e marketingut “Vibe”.

Pasuria e Vjosa Osmanit:

Lidhja Demokratike e Kosovës ka nxjerrë në betejën për kryeministre Vjosa Osmanin. Por sa është pasuria e kandidates së LDK-së. Osmani gjatë kohës sa ishte deputete kishte deklaruar pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Në pronësi të saj, ajo ka deklaruar një banesë në vlerë prej 40 mijë eurosh, e cila sipas saj është ende e papërfunduar.

Osmani ka edhe dy shtëpi, njëra në vlerë prej 190 mijë eurosh dhe tjetra në vlerë prej 125 mijë eurosh, në pronësi të bashkëshortit të saj.

Kandidatja e LDK-së për kryeministre në llogarinë e saj ka hiç më pak se 42 mijë euro. Ndërkaq në një llogari tjetër në një bankë tjetër ajo ka 6 mijë euro.

Osmani, përveç që deri para pak kohësh kishte marrë pagë nga Kuvendi i Kosovës, asaj në llogarinë e saj i kishte dalë për çdo muaj edhe paga nga Universiteti i Prishtinës.

Pasuria e Kadri Veselit:

Partia Demokratike e Kosovës e ka zyrtarizuar liderin e saj, Kadri Veselin si kandidat për kryeministër të Kosovës.

Në Agjencinë Kundër Korrupsionit , Kadri Veseli ka deklaruar se posedon një banesë prej vitit 2001 në emër të bashkëshortes së tij, në vlerë prej 97.000, një lokal afarist me sipërfaqe prej 270 metra katrorë, vlerën e së cilës nuk e ka deklaruar.

Veseli gjithashtu ka deklaruar se posedon një shtëpi prej 350 metra katrorë e trashëguar nga prindërit e tij, si dhe tokë në mal prej 10 hektarë po ashtu e trashëguar.

Kreu i PDK-së merr pagë vjetore prej 33 mijë e 870 euro si kryetar i Kuvendit e po ashtu rreth 5 mijë euro mëditje.

Gruaja e tij Violeta merr pagë vjetore prej 3.420 euro si profesoreshë në gjimnazin “Sami Frashëri” dhe 17 mijë e 640 euro nga Kobit PC.

Veseli po ashtu ka deklaruar një veturë Jeep në vlerë 16 mijë e 300 euro dhe para të kursyera në dy banka së bashku me gruan e tij në vlerë prej mbi 6 mijë euro.

Pasuria e Albin Kurtit:

Edhe Vetëvendosje ka kandidatin e saj për kryeministër. Ky subjekt pa asnjë dyshim besimin e ia ka dhënë liderit të saj, Albin Kurtit.

Deklarimin e pasurisë e ka bërë edhe lideri i VV-së. Kurti ka deklaruar se posedon një apartament prej 67 metrave katror në vlerë prej 400 mijë eurove i cili është në pronësi të bashkëshortes së tij.

Ai ka thënë se apartamenti është blerë në vitin 2018 nga bashkëshortja.

Kurti nuk ka deklaruar asnjë pronë të paluajtshme në pronësi të veten.

Lideri i VV-së, ka deklaruar se bashkëshortja e tij ka një kredi në nja bankë në vlerë prej 270 mijë euro, në kohëzgjatje prej 25 vitesh, shkak i blerjes së një apartamenti

Pasuria e Fatmir Limajt:

Në garë për pozitën e shefit të qeverisë është edhe Fatmir Limaj nga koalicioni NISMA-PSD.

Lideri i partisë Nismës, Fatmir Limaj, ka në pronësi të tijën, shtëpi, banesa, disa hektarë tokë. Ai posedon një banesë banimi në sipërfaqe rreth 68 metra katrorë, në vlerën e 70 mijë eurove.

Një shtëpi banimi 300 metra katrorë në vlerën e 250 mijë eurove si dhe 13 hektarë tokë, pasuri familjare në vlerën e 500 mijë eurove. Limaj po ashtu nga për pozitën e deputetit merr pagë prej 1 mijë e 377 euro, në baza vjetore me rreth 16 mijë e 524 euro. Ndërkohë që bashkëshortja e tij, e cila punon në një ndërmarrje merr pagë mujore në vlerën e 450 eurove.

Limaj ka edhe një kredi në njërën nga bankat në Kosovë, në vlerën e 40 mijë eurove. Ndërkohë që ai nuk ka të deklaruar ndonjë veturë në pronësi të tijën.

Pasuria e Nenad Rashiqit:

Kandidati i Koalicionit “Sloboda”, Nenad Rashiq, ka paraqitur pasurinë e tij në një vlerë prej rreth 1.8 milion euro.

Ai ka paraqitur një shtëpi të përbashkët në vlerë prej 25 mijë euro, pasuri e përbashkët në vlerë prej 500 mijë euro, tokë e objekt 200 mijë euro, veturë 4000 euro, aksione në kompaninë Cosmos Deni, vlera e kompanisë 260 mijë euro dhe pasuri tjetër në vlera të ndryshme.

Qytetarët e Kosovës më 6 tetor të këtij viti do t’i drejtohen kutive të votimit për t’ia dhënë legjitimitetin një qeverie të re në vend.