Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, njoftoi se Kampi Inovativ Trajnues Kosovaro – Gjerman në Prizren ka mirëpritur banorët e prekur nga tërmeti dhe tashmë është mbushur në të gjitha kapacitetet që ka dhe po angazhohen në evidentimin e personave dhe ofrimin e strehimit.Në një postim në Facebook, Haradinaj shkroi se në Kosovë kanë arritur mijëra persona nga Shqipëria, të cilët po evidentohen dhe po strehohen qoftë në baza individuale, qoftë në mënyrë të organizuar institucionale.
Sa i përket ndihmave, kryeministri në detyrë apeloi që ato të dërgohen në Kazermën e FSK-së në Prizren dhe pastaj ato do të delegohen në mënyrë të kujdesshme dhe të kontrolluara në vendet ku ka nevojë.
Postimi i plotë Haradinajt:
Të gjitha veprimet ndër-institucionale që Kosova ka ndërmarrë pas tërmetit me pasoja tragjike në Shqipëri, kanë qenë të koordinuara dhe në bashkëveprim me të gjitha palët.
Në këto momente, në Kosovë kanë arritur mijëra persona nga Shqipëria, të cilët po evidentohen dhe po strehohen qoftë në baza individuale, qoftë në mënyrë të organizuar institucionale.
Përkitazi për këtë, ne kemi mobilizuar të gjitha mekanizmat e nevojshëm për të menaxhuar situata të kësaj natyre.
Tashmë Kampi Inovativ Trajnues Kosovaro – Gjerman në Prizren është mbushur në të gjitha kapacitetet që ka dhe jemi duke u angazhuar në evidentimin e personave dhe ofrimin e strehimit.
Andaj, për t’i evituar të gjitha konfuzionet për këtë mobilizim qytetar të ofrimit të ndihmës dhe grumbullimin e ushqimeve, ju bëjë apel të gjithëve që ushqimin dhe materialet e tjera të nevojshme, t’i dërgojnë në Kazermën e FSK-së në Prizren dhe pastaj ato do të delegohen në mënyrë të kujdesshme dhe të kontrolluara në vendet ku ka nevojë.
Edhe njëherë, angazhimi ynë që nga dita e parë pas kësaj fatkeqësie ka qenë institucional dhe i koordinuar dhe kësisoj duhet t’i menaxhojmë edhe veprimet vullnetmira të qytetarëve tanë!