Me mijëra persona kanë marshuar përmes qendrës së ngrirë të Beogradit të shtunën për të protestuar kundër presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe partisë së tij udhëheqëse, Partisë Serbe Progresiste (SNS) dhe po kërkojnë liri të mediave e fund të sulmeve ndaj gazetarëve e figurave politike opozitare.
Protestuesit u frynin bilbilave, mbanin në duar pankarta me mbishkrime “Stop Tradhtisë, Mbroje Kushtetutën dhe Mbështete Popullin”, dhe thërrisnin “Vuçiq Hajni” në protestën e pestë të këtillë në po kaq javë, raporton Reuters.
Protestat, që janë mbajtur edhe në qytetin e Kragujevcit, u nxitën nga një incident në muajin nëntor kur politikani opozitar, Borko Stefanoviq, u rrah nga sulmues të panjohur në qytetin e Krushevcit.
Përkrahës të Aleancës për Serbinë, një grupim i 30 partive opozitare dhe organizatave të ndryshme, thonë se Vuçiqi është një autokrat dhe partia e tij është e korruptuar, diçka që liderët e saj e kundërshtojnë fuqishëm.
Demonstruesit kërkuan mbulim më të madh të grupeve opozitare nga transmetuesi publik dhe garanca për hetim të detajuar të sulmeve ndaj gazetarëve dhe politikanëve opozitarë.