Mijëra ukrainas të ikur nga lufta arrijnë në kufirin SHBA-Meksikë

Mijëra ukrainas që kanë ikur nga vendi i tyre i shkatërruar nga lufta kanë arritur në Tijuana, në kufirin e Shteteve të Bashkuara me Meksinën. Ata po përpiqen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara për arsye humanitare. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Celia Mendoza, shkoi në Tijuana dhe bisedoi me disa prej tyre.

Marketing

“Përsëri po detyrohemi të shkojmë në një vend tjetër. Duam të vendosemi në një vend sa më larg konfliktit, sepse kjo është hera e tretë që po lëvizim.”

36-vjeçarja Olga Smirnova është zhvendosur tre herë për shkak të luftimeve në Ukrainë. Në vitin 2014, ajo braktisi qytetin e saj të lindjes, Luhanskun dhe u vendos në Kiev për shkak të luftës në rajonin e Donbasit. Këtë vit më 24 shkurt kur filloi sulmi rus në Ukrainë, ajo u zhvendos në Çeki me bashkëshortin dhe vajzën e saj 6-vjeçare.

Tani ajo ndodhet në Meksikë në qytetin kufitar të Tijuanës, ku ajo dhe familja e saj janë duke pritur për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.

“Unë mund të jem një nga 100 mijë refugjatët”, thotë ajo.

Administrata e Presidentit Biden ka premtuar se do të pranojë deri në 100 mijë refugjatë ukrainas në Shtetet e Bashkuara. Dhe deri më tani mbi dhjetë mijë refugjatë ukrainas kanë mbërritur në Tijuana në rrugën e tyre drejt Shteteve të Bashkuara.

Shumica e kampeve të refugjatëve ndodhen pranë portit të hyrjes San Ysidro.

“Ata kanë ardhur në Meksiskë si turistë nga Evropa, përmes aeroporteve të Kankunit, ose të Qytetit të Meksikës. Kur të hyjnë në Shtetet e Bashkuara, ata do të jenë refugjatë”, thotë Enrique Lucero Vásquez nga Zyra për Çështjet e Migrantëve në Tijuana.

Ukrainasit që presin të hyjnë në Shtetet e Bashkuara thonë se ndihen të mirëpritur në Tijuanë.

“Udhëtuam me aeroplan nga Varshava në Kankun, ku qëndruam në një hotel. Pastaj udhëtuam me aeroplan nga Kankuni për në Tijuana dhe arritëm këtu në këtë qendër vullnetare, ku këta njerëz të mrekullueshëm po na ndihmojnë, po na ofrojnë ushqim dhe strehim, dhe ne ndihemi vërtet të sigurt.”

37-vjeçarja, Anastasia Matrosula, iku nga vendlindja e saj, qyteti i Mikolaivit, së bashku me djemtë, Denisin dhe Dimanin. Pothuajse një muaj më vonë, më 4 prill, ata hynë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por ajo është e mërzitur për ata që mbetën pas.

“Po më thyhet zemra, që njerëzit nuk mund të largohen nga zonat e luftës. Dhe nganjëherë unë thjesht dua t’i bërtas gjithë botës, që shpëtojë Ukrainën, të shpëtojë fëmijët”, thotë ajo.

Ashtu si Anastasia, Olga Smirnova shqetësohet për ata që kanë mbetur në zonat e luftës.

“Prindërit e mi janë në Kiev, afër Buçës dhe Irpinit”, thotë ajo.

Sipas Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, më shumë se pesë milionë ukrainas kanë ikur nga vendi i tyre duke kërkuar strehim diku tjetër./VOA

Marketing