Mikroplastika në arteriet e bllokuara, rrezik më i lartë për vdekje?

Në një studim të ri, ekspertët nga Italia zbuluan mikroplastikë në depozitat yndyrore të hequra në mënyrë kirurgjikale nga pacientët me arterie të bllokuara dhe zbuluan se ato mund të lidhen me një rrezik më të lartë të sëmundjeve të zemrës, goditjes në tru dhe vdekjes.

Marketing

“Nga 304 pacientë të cilëve iu hoq arteria kryesore në qafë, 58% kishin copa plastike mikroskopike dhe nanoskopike me skaj të mprehtë në pllakën që mbulon enën e gjakut. Këto përfshinin polietileni dhe klorur polivinil (PVC)”, tha kardiologu Raffaele Marfella nga Universiteti i Kampanisë në Napoli.

Polietileni është lloji i plastikës nga i cili prodhohen shumica e qeseve dhe shisheve të disponueshme. PVC përdoret për të bërë tubacione uji, shishe plastike, dysheme etj.

Marfella dhe kolegët e tij shikuan se cili ishte rreziku i goditjes në tru, sulmit në zemër dhe vdekjes te pacientët me dhe pa mikroplastikë në arterie. Në studim, ata vëzhguan 304 pacientë, me 257 të ndjekur gjatë një periudhe prej 34 muajsh. Ata zbuluan se 58% e tyre kishin sasi të matshme polietileni në pllakën e tyre arteriale dhe 12% kishin PVC.

Ata zbuluan se pacientët me mikroplastikë në arterie kishin dy herë më shumë gjasa të përjetonin një goditje në tru, sulm në zemër jo-fatale ose vdekje sesa ata që nuk kishin këto grimca të vogla në depozitat e tyre. Shkencëtarët vëzhguan gjithashtu pjesët “të dhëmbëzuara” përmes një mikroskopi më të fuqishëm – në mikrofagë (qeliza imunologjike) dhe brenda depozitave yndyrore.

Duhet të theksohet se ky studim vëzhgues nuk përcaktoi me siguri 100% se është mikroplastika në arterie që shkakton një rrezik më të madh të goditjes në tru ose sulmit në zemër, por vetëm u vërejt një korrelacion. Ajo nuk mori parasysh faktorë të tjerë rreziku për sëmundjet kardiovaskulare si duhanpirja, pasiviteti fizik dhe ndotja e ajrit.

“Edhe pse nuk e dimë se cilët faktorë të tjerë mund të kenë kontribuar në rezultatet e dobëta shëndetësore midis pacientëve, zbulimi i mikroplastikës dhe nanoplastikës në arterie është revolucionar në vetvete dhe ngre një sërë pyetjesh të ngutshme”, tha epidemiologu J. Landrigan pranë Kolegjit të Bostonit.

Hulumtimi “Microplastics and Nanoplastics në Atheromas and Cardiovascular Events”, u botua në revistën “New England Journal of Medicine”.

Ndryshe, shkencëtarët kanë studiuar ndikimin e mikroplastikës në kushte laboratorike; në kopjet e organeve dhe te minjtë, për të krijuar një përshtypje se çfarë efekti mund të ketë në trupin e njeriut. Ata zbuluan se mikroplastika mund të shkaktojë inflamacion dhe stres oksidues në qelizat e zemrës, të dobësojë zemrën, të ndryshojë ritmin e zemrës së minjve, shkruan Science Alert.