Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar propozimin e Prokurorisë Speciale për procedim të gjykimit në mungesë në rastin e njohur si Banjska që ndodhi më 24 shtator të vitit 2023 në Komunën e Zveçanit, transmeton Anadolu.
Grupi prej 42 personash që udhëhiqej nga Milan Radoiçiq, të akuzuar për terrorizëm dhe vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë në Kosovë, nuk do të mund të gjykohet në mungesë nga autoritetet kosovare.
Madje, Milan Radoiçiq akuzohet nga autoritetet kosovare edhe për veprën penale “lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” dhe “shpërlarjen e parave”.
“Kryetari i trupit gjykues ka vlerësuar kërkesën e Prokurorisë Speciale dhe ka gjetur se kërkesa për procedimin e gjykimit në mungesë është e pabazuar dhe në këtë fazë të procedurës nuk mund të procedohet me gjykimin në mungesë ndaj të pandehurve që gjenden në arrati, pasi nuk janë plotësuar kushtet e përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale dhe Kodin Penal të Republikës së Kosovës për gjykim në mungesë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Sipas gjykatës, gjykimi ndaj 42 të pandehurve në fjalë, do të vazhdoj pas arrestimit dhe ekstradimit eventual të tyre në Republikën e Kosovës.
Nga gjithsej 45 të akuzuar për sulmin që ndodhi në Banjska, ku humbi jetën rreshteri policisë kosovare Afrim Bunjaku dhe disa të tjerë u lënduan, nën arrest ndodhën vetëm tre persona të cilët dje u deklaruan të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, disa herë ka kërkuar nga pala serbe dhe pala ndërkombëtare që të bëjnë presion për ekstradimin në Kosovë të organizatorit të sulmit në Banjska, Milan Radoiçiq.