Milan Radoiçiq po zgjeron perandorinë në Serbi – pasurinë po ia transferon gruas, bizneset partnerëve besnik

Milan Radoiçiq, biznesmeni kundërthënës dhe ish nënkryetari i Listës Serbe, i cili mori përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë në shtator të vitit 2023, së fundmi ia ka transferuar bashkëshortes së tij, Ema, gjithë pasurinë në Dedinje, të cilën e kishte blerë pasi u largua nga Kosova. Me këtë veprim, në emrin e tij, të paktën në Serbinë qendrore, nuk figuron më asnjë pronë.

Marketing

Më herët, vetëm tre ditë pasi pranoi përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, ai e transferoi pa asnjë kompensim pjesën e pronësisë në të paktën katër kompani te bashkëpunëtori i tij nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinoviq dhe vëllai i tij, Zharko, të dy gjithashtu figura kontroverse.

Ndërkohë, ai ka ndërprerë bashkëpunimin edhe me një tjetër biznesmen të afërt me SNS e Aleksandar Vuçiqit, Davor Macura, kompania e të cilit, Danica Park, ishte planifikuar të ndërtonte një vilë për çiftin Radoiçiq.

Gjithashtu, ai nuk ka më qasje në kompleksin luksoz pranë liqenit të Ujmanit, me vlerë dy milionë euro, restorantin “Grey”, “penthausin” dhe një apartament në Mitrovicën e Veriut, të cilat janë konfiskuar nga autoritetet e Kosovës, shkruan nova.rs.