Milani dhe Lazio i ndanë pikët e ndeshjes së vlefshme për xhiron e 13-të të Serisë A, e cila përfundoi me rezultat 1-1 dhe u vendos në minutat e fundit të ndeshjes në “Stadio Olimpico”.
Për 90 minutat e kësaj ndeshje dominoi me diferencë të vogël Lazio, pasi që kishin më shumë posedimin e topit dhe patën më shumë gjuajtje drejt portës, transmeton Gazeta Express.
powered by Rubicon Project.
Megjithatë, ky dominim nuk i mjaftoi fillimisht skuadrës së Simone Inzaghit, pasi që në minutën e 78-të, Frank Kessie arriti ta shfrytëzojë një top të pasuar nga Davide Calabria dhe e shënoi një gol, duke e mposhtur portierin Thomas Strakoshan.
Megjithatë, përpjekjet e shumta të Lazios u kthyen në gol në minutën e 93-të, kur Joaquin Correa arriti ta shënojë golin e barazimit, pasi topi u rikthye te këmbët e tij.
Ky barazim është mjaft dëshpërues për skuadrën e Gennaro Gattusos që erdhën në ndeshje pas humbjes në xhiron e kaluar, kur humbën nga Juventusi. Fitorja do t’ia kishte siguruar vendin e katërt, por tani ata mbeten në vendin e pestë, me një pikë më pak se Lazio.
Ndërsa, pika e siguruar në fund të ndeshjes i mjafton Lazios për ta mbajtur pozitën e katërt, me vetëm pesë pikë më pak se Interi, që pozicionohet në vendin e tretë.
Kuqezinjtë do ta presin në shtëpi Parmën për xhiron e 14-të të Serisë A, ku do të tentojnë t’i kthehen fitoreve. Ndërsa, Lazio do të luftojë për ta mbajtur pozitën e katërt në ndeshjen kundër Chievos.