Miliarderi rus, Oleg Tinkov, ka hequr dorë prej shtetësisë ruse, për shkak të luftës së nisur nga Moska në Ukrainë.
Po ashtu, Tinkov ka dënuar “fashizmin e Putinit”, duke iu referuar presidentit rus, Vladimir Putin.
Tinkov ka themeluar bankën online, Tinkoff, që është një prej ofrueseve më të mëdha të kredive. Aktualisht kjo bankë ka mbi 20 milionë konsumatorë.
Përmes një postimi në Instagram, ai ka thënë se “nuk mund të jem i lidhur me një shtet fashist që ka nisur luftë kundër fqinjit paqësor”.
Edhe disa manjatë tjerë rusë kanë kritikuar publikisht luftën e Rusisë në Ukrainë.
“Është e turpshme për mua që të vazhdoj të mbaj këtë pasaportë”, ka thënë miliarderi.
Mendohet se Tinkov, aktualisht jeton në Londër, mirëpo është subjekt i sanksioneve të Mbretërisë së Bashkuar, sikurse shumë anëtarë të elitës biznesore ruse.