Milionat e BE-së për sundimin e ligjit në Ballkan “nuk po japin rezultate”

Auditorët e Bashkimit Evropian thanë se qindra milionë euro që blloku ka dërguar në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, që kishin për qëllim përmirësimin e sundimit të ligjit, thjesht nuk po japin rezultate.Raporti i Gjykatës Evropiane të Auditorëve, që njihet me akronimin ECA, u publikua më 10 janar. Në të thuhet se shtetet e Ballkanit shpesh vazhdojnë të tregojnë mungesë të angazhimit për të trajtuar çdo gjë, nisur nga korrupsioni e deri te ndërhyrja e shtetit, që do t’iu ndihmonte atyre që të përparonin drejt anëtarësimit në BE.

Marketing

Pasi vetë po përballen me shumë probleme, 27 shtetet e BE-së kanë zvarritur procesin e anëtarësimit të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë, Bosnje e Hercegovinës dhe Kosovës. Në të njëjtën kohë, ndikimi i Kinës dhe Rusisë është rritur në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Mbështetja e BE-së për sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor qartazi nuk ka qenë e suksesshme që të sjellë ndryshime”, tha Juhan Parts, autor i raportit të ECA-së.

Raporti prej 52 faqesh tregon sesa pak është arritur me ndihmën prej 700 milionë eurosh që BE-ja ka dhënë për rindërtimin e institucioneve në rajon në periudhën 2014-2020. Edhe më shumë është shpenzuar gjatë dy dekadave të fundit, kur shtetet e Ballkanit dolën nga sundimi komunist, lufta dhe konfliktet e brendshme dhe nisën të hedhin bazat e demokracisë perëndimore.

Në raport u tha se BE-ja shpesh përdor shumë karota dhe jo mjaftueshëm shkopinj, teksa investimet në projekte të ndryshme kanë dështuar që të kenë ndikim në shoqëri.

“BE-ja shumë rrallë e ka shfrytëzuar mundësinë e pezullimit të ndihmës, nëse një shtet përfitues ka dështuar që të respektojë parimet bazë të demokracisë, sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut”, u tha në një deklaratë të lëshuar nga ECA.

Edhe pse raporti gjeti “disa zhvillime pozitive, kryesisht në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut”, aty u tha se “në kontekstin e pamjaftueshmërisë së vullnetit politik (mbështetja e BE-së) ka pasur një ndikim të kufizuar në avancimin e rolit thelbësor të reformave në sundimin e ligjit”.

Raporti tha se problemet kryesore në shtetet e Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të jenë të lidhura me pavarësinë e gjyqësorit, përqendrimin e pushtetit, ndikimin politik dhe korrupsionin.

Nëse ndonjë prej gjashtë shteteve të Ballkanit dëshiron të bëhet anëtar i BE-së duhet të zbatojë mijëra rregulla dhe rregullativa që veçse janë në fuqi në bllokun evropian. Gjatë procesit të aplikimin për anëtarësim, shtetet negociojnë kapituj të veçantë ku përfshihen respektimi i sundimit të ligjit dhe standardeve demokratike, liria e medias dhe pavarësia gjyqësore dhe zbatimi i referomave socio-ekonomike.

Raporti, që përmban shumë kritika, vjen në kohën kur disponimi për zgjerimin e BE-së është zbehur, edhe për shkak se shtetet anëtare janë të mbërthyera nga ankthi pandemik, por edhe për shkak të rritjes së autoritarizmit në disa vende të rajonit.

Perspektiva e anëtarësimit ka qenë një forcë shtytëse për reforma në Ballkan që prej shpërbërjes së Jugosllavisë, që nxiti luftëra në fillim të viteve 1990. Kroacia dhe Sllovenia janë anëtarësuar në bllokun evropian, por BE-ja nuk është zgjeruar që nga viti 2013./R.E.L