Ministrat e financave të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, dështuan të merren vesh për një pako mbështetëse financiare për ekonomitë e goditura nga kriza e pandemisë.
Bisedimet kanë zgjatur gjatë tërë natës, por pasi nuk arritën marrëveshje, ata u pajtuan të vazhdojnë diskutimet gjatë ditës së enjte lidhur me çështjet, për të cilat zyrtarët thanë se ekistonin ndasi të pakapërcyeshme.
Zyrtarët thanë se një mosmarrëveshje midis Italisë dhe Holandës, mbi atë se cilat kushte duhet t’i bashkëngjiteshin kredisë së zonës së euros për qeveritë që luftojnë kundër pandemisë bllokuan përparimin për arritjen e marrëveshjes në vlerë gjysmë trilioni euro.
“Pas 16 orësh diskutimesh ishim afër një marrëveshjeje, por nuk e përfunduam atë”, tha kryesuesi i takimit, ministri i Financave i Portugalisë, Mario Centeno.
Ministrat e financave, filluan bisedimet të martën dhe i vazhduan tërë natën – me pushime të shumta për të zhvilluar negociata dypalëshe mes vendeve.
Paketa ka për qëllim të sigurojë një mbështetje kundër rënies ekonomike që pandemia pritet të shkaktojë dhe të tregojë solidaritet midis vendeve të Bashkimit Evropian në krizë.
Por, ministri francez i Financave, Bruno Le Maire, në një moment gjatë diksutimeve u citua se ka komentuar grindjet mes vendeve anëtare me fjalët: “Turp për ty, turp për Evropën”.
Siç shkruan agjencia Reuters, ministrat nuk mund të pajtoheshin për një tekst të përbashkët, sepse Holanda këmbënguli që kredia nga zona e euros për qeveritë duhej të kishte kushte, të cilat në një fazë të mëvonshme, do të merrnin parasysh edhe kriteret specifike të vendit që merr kredinë.
Italia kundërshtoi duke thënë se ajo është e gatshme të pranonte nevojën për t’iu përmbajtur rregullave të buxhetit të BE-së, por asgjë më specifike se kaq.