Ministrat e shkarkuar nisin “revoltat”, Ditmir Bushati sulmon qeverinë: Të jetë më e kujdesshme në hartimin e dokumenteve zyrtare

Përplasjet brenda Partisë Socialiste duket se çdo ditë po shtohen, duke krijuar kështu edhe pse jo zyrtarisht një grup anti-qeveri. Gazeta e ka deklaruar se kryebashkiaku Erion Veliaj, sëbashku me ish-ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj kanë krijuar një klan të tyrin në PS, duke punuar kundër interesave të mazhorancës. Por pakënaqësi ndaj ekzekutivit ditët e fundit kanë shfaqur edhe ish-ministrat socialistë, të cilët u shkarkuan në mënyrë të papritur gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste paraditen e 28 dhjetorit të vitit që lamë pas. Bëhet fjalë për ministra si Lindita Nikolla, Fatmir Xhafaj, Arben Ahmetaj dhe Ditmir Bushati, të cilët në disa dalje publike dhe jovetëm kanë thumbuar kryeministrin Edi Rama dhe politikat e ndjekura prej tij. Por rasti më i freskët ka ndodhur ditën e djeshme në Komisionin e Jashtëm, aty ku u diskutua dhe u miratua me votat e mazhorancës dhe opozitës protokolli për aderimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Teksa ishte duke diskutuar për këtë çështje, ish-ministri Bushati kritikoi relacionin e Këshillit të Ministrave për ratifikimin e protokollit të aderimit të Maqedonisë së Veriut në NATO. Në këtë kontekst, Bushati theksoi që dokumenti ka mangësi, pasi sipas tij, në asnjë rresht nuk evidentohet roli i Shqipërisë në këtë proces.

Marketing

“Për fat të keq kjo i mungon relacionit që ka ardhur nga Këshilli i Ministrave. Nuk përmendet në relacion marrëveshje e Ohrit. Mendoj që duhet të jemi të kujdesshëm për ta qepur siç duhet këtë dokument sepse ka të bëjë me politikën shtetërore tonë”, deklaroi ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. Kujtojmë që pak ditë më parë edhe ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj kritikoi mazhorancën gjatë diskutimit të Rregullores së Kuvendit në Komisionin e Ligjeve, kur deklaroi se ligjvënësit janë kthyer në masha të kryetarit të partisë dhe se sipas tij, e kanë ulur autoritetin. Ndërkohë që nga ana tjetër, akuza ndaj qeverisë dje në Komisionin e Jashtëm hodhi edhe deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu. “Në suazën e pupacëve që janë vendosur për të çuar në një anarshi të plotë përsëri të re, ndoshta në gjithë rajonin, të cilat rrezikojnë rëndë pozicionin e Shqipërisë, pozicionin tonë në NATO. Zoti ministër i Jashtëm nuk ka pse të fshihet skutave”, deklaroi deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu.