Kocevski: Ministri aktual i Ekonomisë nuk është i dyshuar sepse gjatë kohës së mandatit të tij nuk ka pasur kërkesë për licencë nga “Puls”

Për katër nga nëntëmbëdhjetë të dyshuarit e rinj, Prokuroria kërkon paraburgim, për shtatë arrest shtëpiak dhe ndalim komunikimi, ndërsa për shtatë të tjerë kërkohen masa kujdesi. Njëri nga të dyshuarit aktualisht nuk gjendet në vend. Këto janë të dhënat e fundit që pasdite i publikoi Prokurori i Shtetit, Ljupço Kocevski, në një konferencë të përbashkët për media me Ministrin e Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.

Ekipi i prokurorisë që tani përbëhet nga 13 anëtarë, kohët e fundit ka punuar në disa linja hetimi ndaj të gjitha institucioneve dhe personave zyrtarë të cilët me veprimet dhe lëshimet e tyre të paligjshme mundësuan që “Puls” të funksionojë dhe të kryejë veprimtari hotelerie pa përmbushur asnjë kusht, tha Kocevski.

Nga pushteti lokal në Koçan, përveç tre kryetarëve të komunës, përgjegjësi e mundshme ka edhe te tre inspektorë ndërtimorë të cilët nuk kanë kryer fare kontroll inspektues të objektit që ishte rikonfiguruar pa asnjë standard.

Përveç Kreshnik Bekteshit, i cili më parë ishte në listën e të dyshuarve, me zgjerimin e hetimit janë përfshirë edhe tre ish-ministra të Ekonomisë të cilët kanë qenë në detyrë gjatë periudhës që përfshin hetimi i Prokurorisë. Ministri aktual i Ekonomisë nuk është i përfshirë në hetim sepse gjatë mandatit të tij nuk është iniciuar procedurë për licencë nga pronari i klubit “Puls”.

Nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim janë të dyshuar ish-drejtuesit dhe drejtori aktual. Sipas Kocevski, ata e kanë lënë plotësisht pas dore kompetencën e tyre. Gjatë viteve nuk kanë ndërmarrë masa për monitorim dhe kontroll inspektues të diskotekave dhe kabareve. E kanë dëmtuar sistemin e mbrojtjes dhe shpëtimit dhe i kanë ekspozuar qytetarët ndaj rrezikut nga objekte të pakontrolluara.

Deri në këtë moment, janë të dyshuar 43 persona fizikë dhe tre persona juridikë.

Marketing