Me vendim të Qeverisë sot pasdite do të ngrihen çmimet e produkteve shtesë, krahas atyre të produkteve elementare për të cilat para tre ditësh është ndaluar rritja e çmimit. Me këtë vendim do të përfshihen limonët, portokajtë dhe produkte të tjera, pasi kishte ankesa nga qytetarët se dukshëm janë rritur çmimet pasi u shkaktua kriza me koronavirusin.
“Në mbledhjen e Qeverisë sonte do të propozoj vendim të ri për kushte të veçanta për tregti të disa mallrave dhe produkteve ku do të përfshihen produktet si limoni dhe portokalli”, tha ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve në konferencën për medie.
Paraprakisht me vendimin e Qeverisë ishin ngrirë produktet themelore: buka, kripa, vaji, qumështi dhe produktet qumështore, vezët, mielli, mishi, brumërat, ilaçet dhe mjetet dezinfektuese. Ato ngrihen në gjendjen në të cilin ishin kur koronavirusi ishte shpallur pandemi nga ana e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Përjashtim për këtë do të bëhet vetëm nëse produktet për të cilat ka dëshmi se janë rritur faturat hyrëse.
Siç bëri të ditur Bekteshi, qytetarët nga dita e hënë do të jenë në gjendje të lajmërojnë mosrespektimin e rekomandimeve të qeverisë për mbrojtje kundër koronavirusit në linjën pa pagesë 191. Çdo qytetar mund të lajmërojë nëse vëren objektet e hotelerisë që funksionojnë ose rritje të çmimeve të produkteve elementare.
Bekteshi njëherit iu bëri thirrje punëdhënësve që të mos i largojnë punëtorët nga puna dhe theksoi se Qeveria po përgatit pakon e dytë të masave për ndihmë të bizneseve.
Sipas tij nuk janë të sakta informacionet të cilat i publikuan disa medie për punëtorë të larguar nga puna në industrinë e automobilave. Sipas informacioneve tona, theksoi, ata nuk janë larguar nga puna, por janë në pushim vjetor.
Kompanitë të mos largojnë punëtorë nga puna sepse ne do të përpiqemi që plotësisht t’iu ndihmojmë që ta ruajnë likuiditetin dhe të mos vijë deri te humbja e vendeve të punës, porositi Bekteshi.