Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Delphi, në Greqi, ku do të flasë në panelin me titull “Si ndikon kriza në Ukrainë në ekonomitë e rajonit”.
Ministri Bekteshi, në kuadër të Forumit do të marrë pjesë në një darkë pune me temë “Lufta në Ukrainë: Pasojat e Ballkanit”, e cila do të trajtohet nga Zëvendës – ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Beograd – Prishtinë dhe për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak.
Forumi i 7-të Ekonomik Delphi, i cili organizohet nën titullin “Realitete të reja”, do të jetë nikoqir i personaliteteve të shquara politike, duke përfshirë presidentë, kryeministra, komisionerë dhe ministra evropianë, si dhe shkencëtarë, profesorë universitetarë dhe sipërmarrës.
Në forum do të marrin pjesë 760 folës nga 36 vende dhe do të mbulojë një sërë temash, si siguria globale, ekonomia globale, ndryshimet klimatike, e ardhmja e BE-së, teknologjia, shëndetësia, shoqëria, kultura, etj.