Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, të hënën viziton Kosovën, ku do të pritet nga presidentja Vjosa Osmani dhe ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci.
Pistorius gjatë kësaj vizite do të jetë i shoqëruar nga deputetët të Bundestagut dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
Takimi me të parën e shtetit tonë do të mbahet në Presidencë duke filluar nga ora 11:00, pas të cilit do të mbahet edhe një konferencë për media.
Ministri gjerman në Ministrinë e Mbrojtjes do të pritet me ceremoni zyrtare, e shoqëruar me togun ceremonial të FSK-së, nga ora 13:30.
Pas ceremonisë ushtarake, të dy ministrat e mbrojtjes dhe delegacionet përkatëse do të mbajnë takim bilateral.
Pas përfundimit të takimeve të planifikuara në Ministri të Mbrojtjes, agjenda ditore do të vazhdojë në Qendrën Ndërkombëtare të Kërkim-Shpëtimit (QNKTSH), në Pomozatin, duke filluar nga ora 15:00.
Me këtë rast, të dy ministrat e mbrojtjes do të shohin për së afërmi kapacitetet profesionale dhe mjetet teknike të kësaj Qendre.