Ministri i LSDM-së kundër hapjeve të xhamive

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe i LSDM-së, sot në konferencën për shtyp theksoi se mëngjesin e sotëm ka biseduar me krerët e dy bashkësive më të mëdha fetare në vend dhe gjatë bisedës është ritheksuar se vendimi për ndalim të mbledhjes së më shumë se dy personave është ende në fuqi.

Marketing

“Mëngjesin e sotëm kam biseduar me reisin e Bashkësisë Fetare Islame si dhe me kreun e Kishës Ortodokse Maqedonase. Që të dyve iu thash që t`i përmbahen masave në interes të shëndetit të qytetarëve dhe mos të organizohen tubime të qytetarëve. Pas informacionit se BFI bën thirrje për hapje të xhamive me 12 maj, dua të përsëris se ende është në fuqi ndalesa për tubim të më shumë se dy personave. Apeloj deri tek të gjithë bashkësitë fetare dhe deri tek të gjithë mbështetësit e tyre që të parandalojnë çfarëdo organizimi ose tubimi deri sa masat janë në fuqi. Tubimet janë tubime pavarësisht se nga kush organizohen, dhe kjo mund te na kthej pas”, theksoi Filipçe.

Nga ana tjetër sot në një vendim të BFI-së thuhej se nga data 12 maj 2020, e martë, xhamitë do të jenë në shërbim të xhematit për të kryer obligimet fetare kolektive.

Sa i përket ngjarjeve të fundit në Strugë, ku një numër i madh i qytetarëve u tubuan për liturgji, duke thyer rregullat shëndetësore, ministri Filipçe tha se dënon ashpër këto veprime dhe se pret nga institucionet hetim rrënjësorë.

“I gjykoj ashpër të gjithë që nuk respektojnë rregullat, dhe pres hetim rrënjësorë për mbledhjen e qytetarëve gjatë ditës së djeshme në Strugë, institucionet duhet të sanksionojnë shkelësit dhe të intervenojnë që të parandalohen shkelje të tilla”, pohoi ministri Filipçe