Ministri  Murtezani në Austri ,në fokus politika e zgjerimit të BE-së dhe plani për Zhvillimin e Ballkanit Perëndimor

Përforcimi i marrëdhënieve bilaterale dhe avancimi i procesit të integrimit evropian të vendit, me theks të veçantë politika e zgjerimit të BE-së dhe Planin për Zhvillimin e Ballkanit Perëndimor, kanë qenë temat kryesore në takimin e ministrit për eurointegrime, Orhan Murtezani me ministren federale për BE të Austrisë, Karoline Edshtadler. Murtezani në Vjenë ka prezantuar edhe draft-agjendën reformuese 2024-2027, si pako për përshpejtimin e integrimit të vendit, kumtojnë nga Ministria për Eurointegrime.

Marketing

“Agjenda reformuese nuk është vetëm një plan strategjik, por një dëshmi e përkushtimit tonë për harmonizimin me standardet evropiane dhe për avancimin e procesit tonë për aderim në BE. Me mbështetjen e partnerëve si Austria dhe kornizën e siguruar nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, besojmë se do të kemi progres konkret drejt anëtarësimit të plotë në Union.”.

Me këtë rast ministri Murtezani ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë në rrugën evropiane të vendit, si dhe për rolin e saj aktiv në promovimin e politikës së zgjerimit të unionit, ndërkaq siç informojnë nga resori, ministrja austriake Edshtadler ka konfirmuar përkushtimin e Austrisë për të mbështetur Maqedoninë e Veriut drejt anëtarësimit në BE, duke theksuar edhe rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor për stabilitetin dhe sigurinë evropiane. Në takim janë riafirmuar marrëdhëniet e fuqishme miqësore mes Austrisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe është shprehur gatishmëri për përkushtim të ndërsjellë për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe.