Ministri në largim, Bekteshi, llogaridhënie për Ministrinë e Ekonomisë

Ministri në largim i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, me llogaridhënie për udhëheqjen e kësaj ministrie në shtatë vitet e kaluara. Bekteshi veçoi krizën energjetike, që sipas tij ka qenë problemi kryesor me të cilin, siç tha ai, Ministria e Ekonomisë e ka menaxhuar me sukses. Gjatë kësaj periudhe, sipas tij janë ndihmuar 900 kompani dhe janë bërë përpjekje maksimale për të mos lënë pasoja për kompanitë vendase që janë përballur me shumë sfida. Përpjekje janë bërë edhe për rritjen e pagave të punëtorëve, si dhe për mos humbjen e vendeve të punës.

Marketing

“Ministria e Ekonomisë ka bërë përpjekje maksimale gjatë kësaj periudhe që të mos humben vendet e punës, por paralelisht ka bërë përpjekje që të rriten pagat edhe në sektorin privat dhe publik, andaj dua ta shfrytëzoj këtë rast edhe t’u falënderoj dhe kjo nuk është lamtumirë, sepse ne jemi këtu aktiv edhe me çështje politike. Në kuadër të partisë politike që i takoj, ne do të jemi këtu që të jemi korrektues i Qeverisë së ardhshme.”, – deklaroi ministri në largim i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Një ndër sukseset e Ministrisë së Ekonomisë, sipas Bekteshit janë edhe parimet për zhvillimin e barabartë rajonal, që kanë mundësuar të mos ketë diskriminim mes komunave në ndarjen e mjeteve për komunat, por edhe për qytetarët. Bekteshi njëherit shtoi se janë miratuar edhe shumë ligje në sferën e energjetikës dhe i bëri thirrje Qeverisë së re, që ligjet që nuk janë miratuar të miratohen sa më parë në interes të qytetarëve.