Ministri Nuredini do të prezantojë ambicien kombëtare klimatike në Glasgow

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini, dje dhe sot së bashku me presidentin Stevo Pendarovski merr pjesë në Samitin Botëror të Liderëve, në kuadër të Samitit të Klimës #COP26 në Glasgow, ku së bashku me liderët e vendeve në botë prezantohen ambiciet dhe veprimet kombëtare klimatike.

Marketing

Në programin shumëditor të negociatave për klimën, ministri Nuredini do të marrë pjesë edhe në ngjarje të ndryshme tematike, ku ishte i ftuar të prezantojë Kontributin e Rishikuar Kombëtar të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i njohur si një nga kontributet më ambicioze të rishikuara në Marrëveshjen e Parisit. Me këtë kontribut, vendi ynë angazhohet të reduktojë emetimet e gazrave serë me 51% ose të shprehura në emetimet neto, në vitin 2030, një ulje prej 82% krahasuar me nivelet nga viti 1990.

Ministri Nuredini sot do të marrë pjesë edhe në lansimin e angazhimit për kufizimin e emetimeve të metanit, një ngjarje e organizuar nga presidenti i SHBA-së Joseph Biden dhe presidentja e KE-së Ursula von der Leyen, mbështetur edhe nga Republika e Maqedonisë së Veriut bazuar në politikat dhe masat e analizuara dhe të miratuara më pare në dokumentet strategjike klimatike.

Me ftesë të Qeverisë greke, ministri Nuredini pasdite do të mbajë fjalim edhe në ngjarjen e nivelit të lartë kushtuar mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe natyrore nga ndikimet e ndryshimeve klimatike, ku do të prezantojë studimet kombëtare dhe përpjekjet për ruajtjen e trashegimisë kulturore dhe zonat natyrore.

Marketing