Takimi i kryetarit Xhaferi me ambasadorin spanjoll Garsija

Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, sot u takua me ambasadorin e sapoemëruar të Mbretërisë së Spanjës, Hose Luis Losano Garsija.

Marketing

Xhaferi shfrytëzoi rastin të përsërisë falënderimin për ratifikimin e shpejtë të Protokollit për anëtarësimin tonë në NATO në kushte pandemie, akt me të cilin u rrumbullakua procesi i aderimit dhe vendi u bë anëtari i 30-të i Aleancës. Për integrimet evropiane, ai e informoi bashkëbiseduesin për kushtet e përmbushura nga ana jonë, të konfirmuara edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian dhe shprehu shpresë se pengesa aktuale në atë rrugë do të mënjanohet dhe se vendi më në fund do të fillojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ambasadori Garsija shprehu mirënjohje për mbështetjen që Republika e Maqedonisë së Veriut ia jep Qeverisë së Mbretërisë së Spanjës në kontekst të ruajtjes së integritetit dhe sovranitetit të saj territorial, duke i respektuar Kushtetutën dhe ligjet, si parime themelore të shtetit juridik. Në raport me NATO-n dhe Bashkimin Evropian, ambasadori e shprehu mbështetjen e qartë dhe të padyshimtë të Mbretërisë së Spanjës dhe përkushtimin e autoriteteve spanjolle muajve të fundit për fillimin sa më të shpejtë të negociatave të Republikës së Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Bashkëbiseduesit u pajtuan se bashkëpunimi i deritanishëm i mirë me Ambasadën Spanjolle do të vazhdojë në drejtim të përforcimit të bashkëpunimit ndër-institucional, në fushat me interes të ndërsjellë.

Marketing