Ministri Nuredini në Konferencën e 25-të të nivelit të lartë për ndryshimet klimatike

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini, merr pjesë me prezantimin e tij në Konferencën e 25-të të nivelit të lartë të Palëve të Konventës Kornizë të OKB për ndryshimet klimatike, e cila mbahet në Madrid të Spanjës nga 10-11 dhjetor 2019.

Marketing

Konferenca për ndryshimet klimatike 2019 mbahet në kohën kur shteteve u bëhet thirrje që t’i përforcojnë ambiciet e veta dhe ato kolektive të kontributeve të tyre për uljen e ndryshimeve klimatike. Presidenca kiliane e emërtoi konferencën si “Koha për aksion”, ndërsa shumica e shohin këtë konferencë si kthese në ambiciet klimatike ndaj Marrëveshjes së Parisit.

Në këtë konferencë shqyrtohen tema që kanë implikime për ambiciet klimatike para dhe pas vitit 2020. Aspektet teknike, në veçanti që nga futja e mekanizmave të rinj të tregut në kuadër të Marrëveshjes së Parisit, u shqyrtuan gjatë javës së parë dhe për momentin zhvillohet seanca e nivelit të lartë, ku ministrat përgjegjës për krijimin e politikës së klimës diskutojnë për zbutjen, mbështetjen e siguruar dhe aktivitetet e Partneritetit të Marakeshit për aksion global klimatik.

Në këtë drejtim, duhet të nënvizohet se Republika e Maqedonisë së Veriut iu bashkangjit edhe Aleancës për ambicie klimatike (Climate Ambition Alliance), duke paralajmëruar një kontribut të shtuar kombëtar deri në vitin 2020.

Në fjalën e tij, ministri posaçërisht theksoi nevojën për qasje të integruar dhe transparente të bazuar në njohuri dhe shprehu gatishmërinë e vendit për përforcimin e ambicies për kontribut kombëtar në zbutjen e ndryshimeve klimatike deri në fund të vitit 2020. Për më tepër, ministri tërhoqi paralelen midis ambicies së lartë dhe mundësisë për rritje dhe zhvillim të ulët të karbonit, vende pune të gjelbra dhe tranzicion të drejtë ndaj energjisë së pastër.

Në margjinat e konferencës, ministri zhvilloi edhe një takim dypalësh me ministrin grek të Mjedisit Jetësor dhe Energjisë Kostis Hatcidakis, me të cilin diskutuan për mënyrat e mundshme të thellimit të bashkëpunimit për çështjet kryesore nga sfera e mjedisit jetësor me rëndësi për të dyja palët. Si pika kryesore që kërkojnë një angazhim të mëtejshëm të përbashkët u veçuan menaxhimi i pellgut të lumit Vardar, menaxhimi i liqeneve të Dojranit dhe Prespës si dhe çështje që lidhen me politikën e përbashkët energjetike dhe të klimës. Ministrat ranë dakord të angazhohen për krijimin e një grupi të përbashkët ekspertësh, i cili do t’i elaborojë detajisht aktivitetet që do të rrisin bashkëpunimin dhe menaxhimin e burimeve ujore në fjalë.

Ministri gjithashtu pati një takim edhe me ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor të Republikës së Sllovenisë Simon Zaic, me të cilin diskutuan për bashkëpunimin në fushën e menaxhimit të mbeturinave dhe mbrojtjen e natyrës.

Ministri Nuredini u takua me drejtorin e sapoemëruar të përgjithshëm të IAEA (Agjencia ndërkombëtare e energjisë atomike) z. Rafael Grosi, drejtorin e përgjithshëm të UNIDO-s Li Jong si dhe me ambasadorin Kire Iloski drejtor i UNECE (Komisioni ekonomik i Kombeve të Bashkuara për Evropën). Ata diskutuan për mënyrat e përforcimit të bashkëpunimin me vendin tonë. Ndër të tjera, ata diskutuan edhe për aktivitetet e projekteve që aktualisht zbatohen në RMV, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me largimin e lindanit nga Ohisi dhe efikasitetin energjetik në industri.

Përveç seancës së nivelit zyrtar, ministri gjithashtu mori pjesë në një numër ngjarjesh të programit shoqërues, përfshirë ngjarjen e nivelit të lartë të – Action for Climate Empowerment (ACE), si dhe në takimin në kuadër të koalicionit të ministrave të Financave për shpalljen e planit aksional Santiago 2020 (në funksion të nismës së MMJPH për qasje në partneritetin për kontributet kombëtare), shpalljen e raportit të Mbretërisë së Bashkuar për „Përshpejtimin e tranzicionit të karbonit të ulët“, si dhe në ngjarjen të organizuar nga BE dhe UNESCO, kushtuar efekteve të ndryshimeve klimatike ndaj trashëgimisë natyrore dhe kulturore.

Marketing