Sot në Vjenë, ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini, zhvilloi disa takime pune të nivelit të lartë, ku prezantoi portofolion e mjedisit jetësor dhe prioritete e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut në këtë fushë.
Gjatë ditës, ministri Nuredini u takua me z.Harald Egerer, drejtorin e programit të zyrës së KB-ve për mjedisin jetësor me seli në Vjenë, me ç’rast diskutuan për projektet në zhvillim e sipër dhe të zbatuara nga KB-mjedisi jetësor, si dhe zhvillimin e koncepteve të reja për avancimin dhe thellimin e bashkëpunimit.
Ministri Nuredini zhvilloi takim me z.Georg Rebering, drejtor i Agjencisë Austriake të Mjedisit Jetësor, ku u diskutua për mbështetjen e ekspertëve që Agjencia i ofron vazhdimisht Ministrisë sonë, si dhe u shpreh gatishmëria e tyre për mbështetje dhe bashkëpunim të mëtejshëm si partner i ynë afatgjatë. Akcenti kryesor i diskutimit ishte tek përforcimi i bashkëpunimit rajonal me vendet fqinje si dhe nevojën për ndihmën e ekspertëve të tyre tyre mbi deponitë industriale dhe hot-spotet. Që të dy ranë dakord se nevojitet pëforcim i mëtutjeshëm i investimeve austriake në vendin tonë, përkatësisht tërheqja e investitorëve në fushën e menaxhimit të mbetjeve të ngurta, trajtimit të ujërave të zeza dhe energjisë së rinovueshme.
Takim u mbajt edhe me drejtorin rajonal për Evropën Juglindore, Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore të Dhomës ekonomike të Austrisë z.Gregor Postl dhe me zëvendësdrejtorin e Dhomës ekonomike të Austrisë z.Riçard Shenc, ku u diskutuan mundësitë për investime të kompanive austriake dhe shfrytëzimin e teknologjive inovatore në fushën e trajtimit të ujërave të zeza.
Sot, gjithashtu u zhvillua takim me UNEP-in, ku mbizotëroj tema mbi projektin në zhvillim e sipër për shpalljen e Malit Sharr për Park Nacional, mandej në vazhdim u diskutua edhe për të gjetur mënyra më efikase të shfrytëzimit të fondeve GEF, Fondit të Gjelbërt të Klimës dhe Platformës Regjionale për Ndotje. Gjithashtu u theksua nevoja për një plan rajonal për menaxhimin me mbeturinat kimike.
Dhe në fund, z.Nuredini mbajti edhe një takim me Agjencinë Suedeze të Biznesit, ku diskutuan mundësitë e dixhitalizimit të aktiviteteve administrative brenda Ministrisë me qëllim të rritjes së efikasitetit, përgjegjshmërisë dhe transparencës së administratës sonë.–