Ministri rus i Mbrojtjes shfaqet në media pas revoltës së mercenarëve

Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu bëri paraqitjen e tij të parë publike që pas revoltës së grupit të mercenarëve ‘Wagner”, të cilët kërkuan largimin e tij.

Marketing

Në një video të publikuar të hënën ai u shfaq duke inspektuar trupat në Ukrainë. Pamjet synonin të jepnin idenë se gjithçka ishte në rregull pas krizës më serioze politike me të cilën është përballur Rusia ndër dekada.

Por fati i Sergei Shoigut vazhdon të jetë i pasigurt sikurse dhe ai i udhëheqësit të revoltës Yevgeny Prigozhin dhe ushtrisë së tij private. Zhvillimet e fundit kanë ngritur pikëpyetje rreth ndikimit të tyre tek lufta në Ukrainë e madje tek e ardhmja politike e Presidentit Vladimir Putin.

Sot Kremlini publikoi një video të zotit Putin duke uruar pjesëmarrësit në një forum industrial, por pa bërë asnjë koment rreth revoltës. Të shtunën presidenti rus tha se rebelimi vuri në rrezik ekzistencën e Rusisë dhe u zotua se do të ndëshkonte ata që qëndronin pas saj.

Përplasjet mes udhëheqësit të grupit ‘Wagner’, Jevgeny Prigozhin dhe ushtrisë ruse, të cilat janë acaruar gjatë gjithë luftës, shpërthyen në një revoltë që çoi në marshimin e tyre drejt Moskës. Ata arritën të marrin kontroll komandën e ushtrisë ruse për luftën në Ukrainë në qytetin Rostov-mbi-Don.

Por pas më pak se 24 orë nga fillimi i rebelimit, trupat e grupit ‘Wagner’ u ndalën. Kremlini njoftoi se kishte arritur një marrëveshje që zoti Prigozhin të largohej në Bjellorusi, dhe se ai dhe trupa e tij nuk do të ndiqeshin penalisht. Por të hënën mediat ruse njoftuan se hetimi penal kundër tij vazhdon dhe se vendndodhja e udhëheqësit të grupit ‘Wagner’ nuk dihet.

Marketing