Ministri Shaqiri u drejtua në Samitin e tretë digjital të vendeve të Ballkanit Perëndimor

Në suaza të Samitit të tretë digjital të Ballkanit Perëndimor, i cili këtë vit u mbajt drejtpërdrejt në Tiranë, ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Jeton Shaqiri, mori pjesë në sesionin e titulluar: ,,Roli i Qeverive në transformoimin digjital”.

Marketing

Në këtë Samit digjital, i cili u mbajt në suaza të procesit të Berlinit, marrin pjesë përfaqësues të lartë qeveritar nga rajoni, Komisioni Evropian, Këshilli i bashkëpunimit rajonal, përfaqësues të shoqërisë së biznesit dhe palë të tjera relevante të interesuara.

Ministri Shaqiri, kishte mundësinë të shkëmbejë pikëpamje, përvoja, suksese, por edhe sfida nga përshpejtimi i digjitalizimit.

,,Shtytësi kryesor i digjitalizimit është identifikimi elektronik. Në kohë të pandemisë, dukshëm po rritet interesi i qytetarëve ndaj përdorimit të shërbimeve elektronike. Sa i takon marrjes së më tepër shërbimeve elektronike, nevojitet identifikim elektronik, i cili do të jetë i disponueshëm për të gjithë dhe i lehtë në përdorim. Në këtë drejtim, bashkëpunojmë me kompaninë botërore Mastercard mbi zhvillimin dhe implementimin e shërbimeve inovative digjitale për të konfirmuar identitetin e qytetarëve, në mënyrë të sigurtë dhe në përputhje me Rregulloret Evropiane”, theksoi ministri në fjalimin e tij.

Sipas ministrit Shaqiri, disponueshëria e lirë drejt sigurisë kibernetike, duke përfshirë të gjitha palët e interesuara të sektorit privat, industrisë, shoqërisë akademike, sektorit joqeveritar do të sigurojë mundësi për shfrytëzimin strategjik të resurseve dhe të njohurive specifike, si dhe të mjeteve të cilat secili prej këtyre sektorëve mund t’i ofrojë.

Në suaza të Samitit digjital, me partnerët e Ballkanit Perëndimor, do të nënshkruhen dy Memorandume bashkëpunimi, të cilët do të mundësojnë përforcimin e bashkëpunimit në sferat e 5G-së, shërbimeve konfidenciale, interoperabilitetit, si dhe sferave të tjera të cilat do të ndihmojnë në aspekt të njohjes rajonale.

Përndryshe, panelistë të sesionit ishin edhe Dushan Polloviq, drejtor i përgjithshëm i Drejtorisë së administrimit elektronik dhe sigurisë informatike të Malit të Zi, Mirlinda Karçanaj, drejtoreshë e përgjithshme e Agjencisë nacionale për shoqërinë informatike të Republikës së Shqipërisë, Mihaillo Jovanoviq, drejtor i Zyrës së teknologjive informatike dhe administrimit elektronik të Serbisë, si dhe Ivana Shariq, udhëheqëse e Sekretariatit të përgjithshëm të Këshillit të ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës.

 

Marketing