Deklarata e fundit e zyrtarëve të lartë rusë “për situatën e rëndë” në rajonin e Khersonit, është e pazakontë dhe sigurisht se sugjeron që autoritetet ruse planifikojnë tërheqje të madhe të forcave të tyre nga ky rajon në perëndim të lumit Dnipro, thuhet në raportin më të fundit të ministrisë britanike të Mbrojtjes.
Gjithashtu theksohet se fakti që edhe gjenerali rus Sergei Surovikin, i ngarkuar për luftën në Ukrainë ka folur për “situatën e rëndë”, tregon se rusëve nuk po u shkojnë gjërat sipas planeve, transmeton Telegrafi.
“Fakti që gjenerali Surovikin i ngarkuar me luftën në Ukrainë, flet për një situatë të rëndë, tregon qartë se ka informacione që lufta nuk po shkon sipas planeve”, thuhet ndër tjera në raport, ku britanikët shtuan se rusët po mendojnë seriozisht mundësinë e tërheqjes së forcave nga ky rajon.
“Sfida për t’i tërhequr trupat dhe mjetet ushtarake nëpërmjet lumit të gjerë mbi 1.000 metra, do t’i kushtonte shtrenjtë. Fakti që urat janë shkatërruar mbi Dnipro, Rusia do të duhej të mbështetej në urën nga skelet të montuar në Kherson”, thuhet ndër tjera.
Ndryshe zyrtarët pro-rusë në këtë rajon të pushtuar kanë filluar me evakuimin e mbi 60 mijë personave të cilët po dërgohen në Rusi, nga frika se kundërofensiva e ukrainasve mund të zgjerohet në një të ardhme të afërt.