Ministria e Drejtësisë do të propozojë ndryshime në Ligjin mbi parandalimin e korrupsionit, me të cilat veç tjerash parashihet që Komisioni për anti-korrupsion të përbëhet nga kryetari dhe katër anëtarë, të cilët do të zgjidhen nga Kuvendi dhe pa të drejtë rizgjedhjeje pesë vite pas mandatit të parë. Për nënkryetar të Komisionit do të vlejë parimi i rrotacionit, duke u zgjedhur me shumicë votash çdo 6 muaj.
Ndër kushtet për kryetar të Komisionit për parandalimin e korrupsionit theksohen përvoja 15 vite pune (10 prej tyre në parandalimin e korrupsionit), të mos ketë ndalesë për ushtrimin e profesionit, 10 vitet e fundit të mos ketë qenë i kyçur në politik dhe të pranojë verifikimin e integritetit.
Për shkarkimin e përbërjes së Komisionit parashikohen dy alternativa: njëra me përfundimin e mandatit në rrethana dorëheqjeje, vdekje ose dënimi me burg të paktën gjashtë muaj dhe alternativa e dytë mbi dyshimet për mos respektimin e Ligjit mbi parandalimin e korrupsionit gjatë zgjedhjes së kryetarit dhe anëtarëve. Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska thekson se propozimet do të vendosen për shqyrtim publik, ndonëse dikasteri i saj është i gatshëm që nesër t’i nisë në procedurë parlamentare.
Duke pasur parasysh se nuk bëhet fjalë për tekst të ri por për ndryshime në Ligjin mbi parandalimin e korrupsionit, mendoj se debati publik mund të vijoj më shpejtë. Kjo do të thotë se që javën e ardhshme do të mundohemi të organizojmë tryezë ku do të diskutojmë. Unë do të komunikoj edhe me ekspertë dhe parti politike. Sa na përket ne, mendojmë se teksti është i mirë dhe jemi të gatshëm që nesër ta dorëzojmë në procedurë Parlamentare derisa nuk ka reagime serioze nga kompetentët në këtë çështje- deklaroi Renata Deskoska, Ministre e Drejtësisë.
Ndryshimet parashikojnë edhe kontrollin e pasurisë së kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit për anti-korrupsion. Në këtë kuadër, Komisioni do të ketë kompetenca që të kërkojë lista anketuese edhe nga përmbaruesit dhe noterët. Tashmë gjashtë muaj, vendi është pa Komision fuqiplotë për anti-korrupsion, për shkak të përfundimit të mandatit të anëtarëve paraprak. Aktualisht, vetëm dy anëtarë gëzojnë mandata por që puna e tyre është ngrirë në mungesë të komisionit të kompletuar. Lufta kundër korrupsionit është njëra ndër rekomandimet kryesore të BE-së si kusht për çeljen e negociatave aderuese.